-Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

-Mbi 3.6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.

-Për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë, në garë janë 144 kandidatë.
-Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi.

-Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.

Ora 11:28 – Incident në Spitallë, ndërpritet votimi 30 minuta! Përplasje edhe në Fushë-Krujë

Përpos problemeve teknike në disa qendra votimi me pajisjen e identifikimit biometrik, këtë të Dielë janë shënuar dy incidente në qarkun e Durrësit.

Gazetarja Enkeleda Arapi ka raportuar nga qendra e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i votimit u ndërpre për 30 minuta. Arapi thotë se ka pasur përplasje mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste.

“Pak minuta më parë u ndërpre procesi i votimit për shkak të disa personave që qëndronin jashtë, bëhet fjalë për mbështetës të PD-së dhe PS-së, opozita thotë se mbështetës të PS-së kanë intimiduar votuesit. Kryetari ka marrë vulën dhe ka ndërprerë procesin për 30 minuta.”

Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë, për të cilin policia ka dalë me njoftim zyrtar. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

“Një incident tjetër është raportuar dhe në Fushë-Krujë, komisioni i qendrës së votimit ka kërkuar ndihmën e efektivëve pasi një votues ëstë konfliktuar me një anëtar të komisionit. Në debat e sipër ai e ka qëlluar me grusht. Tanimë situata është normale, ndërkohë që aty qëndron policia për të shmangur situata të ngjashme”, deklaroi gazetarja.

Pavarësisht incidenteve, në të gjithë qarkun votimi vijon normalisht. Por sipas Arapit, deri në këto momente pjesëmarrja është e ulët.

“Thuhet se kanë marrë pjesë vetëm 6% e gjithë votuesve të qarkut të Durrësit”, theksoi ajo.