Pas deklaratës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski se LSDM-ja do ta paraqesë kandidatin fitues në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm dhe do të formojë Qeverinë e ardhshme, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski përsëriti se janë të gatshëm ta shpërndajnë Kuvendin dhe nesër të shkojnë në zgjedhje.

“Kovaçevski ka një sens humori të çuditshëm, duhet ta pranoj, por ka vetëm një mënyrë për ta vërtetuar dhe treguar atë. Në vend që të jetë frikacak nën fustanin e BDI-së, le të shkojë në zgjedhje dhe të shohim kush kë do ta rrahë, si do të jenë rezultatet. Përderisa gjunjëzohet si frikacak nën fustanet e partnerit më të madh në Qeverinë e BDI-së, fatkeqësisht do të mbetet vetëm kërcënim frikacak, kurse veprat do të mungojnë”, tha Mickoski.

Mirëpo, deri më tani as Qeveria dhe as opozita nuk janë deklaruar për datën e 5 majit, të cilën e tha kryeparlamentari Talat Xhaferi, si e vetmja datë e mundshme për zgjedhje të dyfishta parlamentare dhe presidenciale.

Nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski që përmendet si kandidat për zgjedhjet presidenciale thotë se më mirë njëherë të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe më pas ato parlamentare.

“Më mirë të bëhen zgjedhjet presidenciale, pastaj zgjedhjet parlamentare të bëhen më vonë, por ky është perceptimi dhe mendimi im. Në fund do të merret një vendim. Gjithmonë duhen bërë analiza se çfarë është më e mira për partinë dhe koalicionin. Kur të bëhen këto analiza do të jenë nga aspekti se si do të zhvillohen zgjedhjet, a do të ndahen, a do të kombinohen me zgjedhjet parlamentare, nëse ato zgjedhje ndahen, si do të jemi në zgjedhjet presidenciale“, theksoi ministri i Brendshëm. Oliver Spasovski për “Tema e ditës” në Sitel.

Sipas Spasovskit, nëse do të shkojmë në një front për kandidat presidencial apo për zgjedhje parlamentare, është proces përmes të cilit përmes analizës dhe hulumtimit të opinionit publik dhe hulumtimit të fokus grupeve duhet t’u jepet përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve.

Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski është përgjigjur mbrëmë në “Click Plus” në TV21 për kërkesën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për zgjedhje paralele presidenciale dhe parlamentare.

Sipas Jakimovskit, Mickoski e di se do t’i humbë zgjedhjet presidenciale, ndërsa rrezikon seriozisht të humbasë edhe ato parlamentare.

“Prandaj kërkon që edhe ajo presidenciale edhe ajo parlamentare të jenë bashkë. Gjithçka i bëhet vetëm atij që i përshtatet”, thotë Jakimovski.

Nga BDI theksojnë se do të shkojnë në zgjedhje, nëse VMRO-DPMNE voton ndryshimet kushtetuese dhe para kësaj BDI është e gatshme të dal nga Qeveria. Osmani potencoi se zgjedhjet parlamentare do të jenë të termin të rregullt, duke vlerësuar se ajo çështje është e mbyllur.

“Deri në ditën e fundit të kësaj përbërjeje parlamentare do t’i vazhdojmë përpjekjet për ndryshime kushtetuese. Mendoj se qëllimi i opozitës është këtë temë ta mbajë, të mos e mbyllë për shkak të zgjedhjeve, për ç’shkak dëshirojnë ta kenë si temë kryesore në fushatën zgjedhore-emocionet rreth kontestit me Bullgarinë. Sepse pa këtë temë di të duhet të dilni me program zgjedhor, do të duhet të dilni me program ekonomik, social, arsimor. Këtu keni një temë me të cilët njerëzit janë të lidhur emocionalisht dhe atëherë më lehtë do t’i keqpërdorni emocionet e njerëzve për fushatën zgjedhore. Unë jam i vetëdijshëm se ekziston një pikë kritike për kahjen e së ardhmes së shtetit, por për shkak të interesave zgjedhore të partisë politike nuk do ta rrezikojmë të ardhmen e vendit”, theksoi Osmani.

Partitë opozitare shqiptare Lëvizja BESA, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare, duke mos përjashtuar që ato të jenë bashkë me ato presidenciale. Nga Aleanca për Shqiptarët po ashtu theksojnë se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të reja.