Zgjerimi i koalicionit qeveritar me Lëvizjen Besa, PDSh-në dhe me Lidhjen e Romëve, sipas analistëve, nuk do të sjellë diçka të re në aspektin organizativ, por do të jetë një mbështetje për LSDM-në dhe BDI-në, që ta shtynë procesin drejt zgjidhjes më shpejt të kontestit rreth emrit, ndërsa më pak rëndësi ka garantimi i një shumice më të sigurt në Kuvend.
Analisti, Petar Arsovski, këtë veprim të kryeministrit, Zoran Zaev, e ka cilësuar si përgatitje të planit për zgjidhjen e kontestit, çdoherë nëse ka ndonjë propozim të pranueshëm për të dyja palët.
“Rritja e shumicës parlamentare për Zaevin nënkupton sigurim të situatës politike në vend dhe tejkalim i çështjes së emrit, që me këtë shumicë më lehtë do të ishte e kalueshme. Ndërsa tek aspekti programor do të duhet një koordinim më i theksuar i brendshëm, por kjo është vetëm një tentim simbolik, sepse përgatitjet me shumicën e re do të jenë në aspektin e emrit”,- theksoi analisti i çështjeve politike, Petar Arsovski.
Edhe analisti, Selim Ibrahimi, vlerëson se me këtë rritje të shumicës parlamentare, Zaev dëshiron të krijojë një përkrahje gjithëpopullore për sa i përket çështjes së emrit.
“Në fakt ky koalicion i ri, ky zgjerim parlamentar edhe me PDSh-në dhe Besën, po ndodh në prag të takimit në Sofje dhe kjo është një plan i ri i Zaevit për të siguruar një mbështetje gjithëpopullore për çështjen rreth emrit, edhe atë qoftë nga elektorati shqiptar për ndonjë referendum të mundshëm, qoftë votim në Parlament”,- tha analisti i çështjeve politike, Selim Ibrahimi.
Analistët politikë aspektin e shtimit të numrave në Parlament e shohin si qëllim sekondar.
Sipas tyre, deputetët e rinj të shumicës parlamentare nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim esencial të punës së Qeverisë, por vetëm si numra për politikat e mëdha, siç është aspekti i emrit./al.mrt/