BE shikon me optimizëm në përpjekjet të cilat i bën Qeveria lidhur me problemin të cilin e ka Greqia me emrin e Maqedonisë, theksoi sot euroambasadori Samuel Zhbogar gjatë vizitës së SPB Shkup, përcjell Fol.

“Atë që në përgjithësi e ndamë është optimizëm se punët po zhvillohen në drejtimin e duhur, se reformat që i presim në vend fillojnë të zbatohen dhe e inkurajojmë Qeverinë të vazhdojë në këtë rrugë. Në muajt e ardhshëm nga ana jonë do ta prezantojmë vizionin për rajonin në vitet dhe dekadat e ardhshme përmes dokumentit strategjik për Ballkanin Perëndimor që kryetari i KE-së Junker e paralajmëroi për në shkurt. Pres nga Qeveria dhe institucionet të tregojnë përkushtim dhe rezultate lidhur me reformat. Nëse këto vizione dhe aktivitete përputhen shpresojmë se do të shohim rezultate të mira vitin e ardhshëm”, tha Zhbogar.

Lidhur me mundësinë që bashkësia ndërkombëtare të kryejë presion ndaj Greqisë të lejojë hyrjen e Maqedonisë në NATO nën referencën e përkohshme, ambasadori theksoi se gjithmonë është më mirë çështjet të zgjidhen përmes dialogut të kënaqësisë të të dyja palëve.

“Nuk ka zgjidhje kur njëra palë është e kënaqur, ndërsa tjetra nuk është dhe të gjitha kompromiset janë të bazuara në atë se të dyja palët ta pranojnë zgjidhjen. Kjo është mënyra e vetme të vihet deri në zgjidhje afatgjatë. Shohim se kjo është qasja e Qeverisë, përmes takimeve të shpeshta mes ministrave të punëve të jashtme të cilat e përmirësojnë atmosferën dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe besojmë se kjo do të sjellë deri në rezultate të mira”, tha euroambasadori Samuel Zhbogar. /Fol/