Gjyqësia me siguri e kupton se ndoshta e ka shansin e fundit për ta kthyer besimin tek qytetarët me hetim të pavarur, të plotë dhe të shpejtë të rastit “Reket”, por edhe të të gjitha rasteve tjera të PSP-së. Gjyqësia duhet të gjejë forcë që t’i japë rezistencë presionit, pavarësisht prej ku vjen ai dhe për këtë ka mbështetje të plotë nga ana jonë, porositi sot euroambasadori Samuel Zhbogar.

Zhbogar i cili foli në forumin në Odën ekonomike, vlerësoi se rasti “Reket” është transformuar në një rialiti shou, ndërsa lajmet e rreme dhe sjellja në pikëpyetje e gjithçkaje, u bënë modus operandi në vend.

Euroambasadori potencoi edhe se retorika e ashpër e politikanëve që e shfrytëzojnë mes vete, por edhe lidhur me gjyqësinë, jo vetëm që e gërryen besimin tek qytetarët, por edhe e helmon shoqërinë në të cilën në mënyrë dëshpëruese, siç tha, i duhet pajtim.

“Procesi gjyqësor për të cilin dëshmojmë këto ditë u transformua nga politika dhe nga disa mediume vendore dhe të huaja në rialiti shou. Ata tentuan t’ia marrin rolin gjyqësisë, ta luajnë rolin e ‘vëllait të madh’, duke i diktuar lojtarët brenda shtëpisë, që është gjyqësia. Lajmet e rreme dhe sjellja në pikëpyetje e gjithçkaje, u bënë modul operandi në vend. Secili u bë kriminel që do të thotë se kriminelët u bënë anonimë, të gjithë janë të barabartë, të gjithë janë të njëjtë”, theksoi Zhbogar në fjalimin në forumin për ndikimin e qeverisjes së të drejtës ndaj biznesit.

Vetëm nëse tregon se mund të përballet me të gjitha rastet e krimit dhe të korrupsionit, gjyqësisë, theksoi euroambasadori, mund ta kthejë besimin e qytetarëve në të dhe në politikë.

“Mendoj se gjyqësia e kupton se ndoshta e ka shansin e fundit sërish ta ndërtojë besimin tek qytetarët me hetim të pavarur, të plotë dhe të shpejtë dhe procesim të rastit ‘Reket’, si dhe të të gjitha rasteve tjera të PSP-së. Gjyqësia duhet të gjejë forcë për t’i dhënë rezistencë presionit, pavarësisht prej ku vjen ai dhe në këtë ka mbështetje të plotë nga ana jonë”, theksoi Zhbogar.

Edhe njëherë nënvizoi edhe se Bashkimi Evropian bazohet në respektimin e rregullave dhe të ligjeve dhe se secili prej elementeve në trekëndësh “qytetarë-shtet-gjyqësi” duhet ta dijë dhe saktë ta luajë rolin e vet. Në këtë lidhje, përmendi, besimi është në qendër.

“Kur qytetarët do të fillojnë të besojnë se sistemi nuk është i barabartë për të gjithë ose kur politika do të fillojë të përzihet dhe të shtypë ndaj gjyqësisë, atëherë shohim erozion të shoqërisë e cila bazohet në rregulla”, potencoi Samuel Zhbogar.