Zjarri i paraqitur ditë më parë në zonën malore mbi pikën turistike Matkë, që gjatë ditës së sotme është lokalizuar, ka nisur të përhapet në rajonin malor të Tetovës. Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë alarmon mbi mundësinë e përhapjes së zjarrit sepse vendi i papërshtatshëm nuk lejon qasje në atë zonë. Kjo ndërkohë që rrezikon banorët që jetojnë rrëzë malit. Kreu i njësisë zjarrfikëse ankohet edhe për mungesë të makinerisë për qasje në zonat e thella malore të cilat vështirësojnë edhe më tepër punën e tyre në terren.

Për momentin jemi duke intervenuar në katër raste, në disa lokalitete të Komunës së Tetovës dhe rrethinës së saj, pra komunave rurale. Jemi të shqetësuar shumë për zjarrin që na u imponua nga ana e Shkupit, sepse në vendin e quajtur mbi Kopanicë nga Radusha, ai zjarr është duke u zgjeruar dhe vjen nga ana jonë. NJTKZ ka kapacitete të merret me këto zjarre por ai kapacitet që e kemi të automjeteve kanë filluar të amortizohen, kemi mungesë të mjeteve për shuarje të zjarreve nëpër pyje, fusha etj – tha Uka Aliti. Komandant i NJTKZ.

“Për dallim prej Shkupit ku zjarret janë paraqitur në lartësi më të mëdha mbidetare, nëpër male, në qytetin e Tetovës zjarret më të shpeshta janë nëpër fusha. Ky është zjarri i fundit në fushat e Tetovës që është lokalizuar nga NJTKZ, ndërkohë që, me katër të këtillë, janë përballur gjatë gjithë natës së mbrëmshme zjarrfikësit e Tetovës”.

Ndryshe, gjatë kësaj vere, zjarrfikësit në Tetovë kanë intervenuar në gjithsej 357 zjarre, 170 prej të cilave kanë qenë në sipërfaqe të hapura dhe të shkaktuara nga faktori njeri./Alsat-M