Denis Zvizdiç, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev u takuan sot në Sarajevë. Zvizdiç dhe Zaev biseduan për marrëdhëniet dypalëshe dhe përforcimin e bashkëpunimit të dy vendeve në rrugën euroatlantike, kanë njoftuar nga Këshilli i Ministrave të BeH-së. Zvizdiç tha se BeH-ja dhe Maqedonia janë dy vende mike të cilat i lidh historia e përbashkët dhe kultura. Ai theksoi se dy shtetet kultivojnë multietnicitetin dhe kanë qëllime të njëjta të jashtme politike ndërsa ato janë Bashkimi Evropian dhe integrimi në NATO.

Më tej ai shtoi se bashkëpunimi politik i dy vendeve është i shkëlqyeshëm për çka dëshmon Marrëveshja e nënshkruar kohë më parë për bashkëpunim të Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në procesin e aderimit drejt BE-së, por se duhet të investohet përpjekje shtesë në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në interes të qytetarëve të të dyja shteteve. Zvizdiç e informoi Zaevin për situatën aktuale politike në BeH me theks të veçantë për progresin e arritur të BeH-së në rrugën ekonomike dhe sfidat të cilat gjenden përpara vendit të tij në procesin e mëtejshëm të integrimit.

Gjatë takimit është dakorduar vizita zyrtare e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në BeH kah fundi i këtij muaji. Nga shërbimi për informim i Qeverisë së Maqedonisë, sot paralajmëruan se dy kryeministrat do të marrin pjesë në ceremoninë “Menaxheri dhe kompania për vitin 2017” ku kryeministri i Maqedonisë, Zaev do të adresohet.

Kryeministri Zaev është mysafir nderi në këtë manifestim të rëndësishëm të biznesit në Evropën Juglindore dhe Qendrore, si fituesi i vitit të kaluar të çmimit si kryetari më i mirë i komunës në Evropën Juglindore edhe këtë vit do të ndajë një nga çmimet. “Bashkëpunimi dhe progresi i rajonit sjellin jetë cilësore për qytetarët në vendet tona. Të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet ekonomike dhe politike” do të jetë njëra nga porositë e kryeministrit Zaev në ceremoninë, njoftuan nga kabineti i tij.