Ekspertët vlerësojnë se largimi i Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria dhe ndryshimet brenda shumicës parlamentare erdhën si pasojë e mos respektimit të parimeve nga tre partnerë të koalicionit.

Sipas ish deputet Naser Ziberi, partitë qeveritare nuk kanë respektuar marrëveshjen për formimin e Qeverisë gjë që sipas tij u vërtetua në zgjedhjet lokale. Ziberi vlerëson se përveç shkeljes së parimeve, partitë vazhdojnë avazin edhe me deklarata dhe akuza jo parimore ndaj njëra tjetrës.

“Garat ndaras cuan deri tek bashkëpunime jo parimore mes ASH-së me një parti tjetër shqiptare opozitare dhe bashkëpunimi i BDI-së me një parti maqedonase. Sa do që këto dy parti ishin në koalicion, bashkëpunimi mes një partie shqiptare dhe një partie maqedonase ndodhë për herë të parë. Madje po aq duket e panatyrshme bashkëpunimi i një partie në pushtet me një parti opozitare kundër një partie në pushtet. Këtu lindën konfliktet e para të cilët pastaj sollën deri tek ashpërsimi i raporteve dhe deri tek krijimi i kushteve për ta përjashtuar Aleancën nga Qeveria”, tha për Alsat-M juristi  Naser Ziberi.