Ish-trajneri i kombëtares Gianni De Biasi ka mbërritur në Tiranë këtë të mërkurë për të marrë pjesë në çeljen e ekspozitës së albumit “EURO 2016”, kampionati europian i futbollit, ku për herë të parë në histori mori pjesë edhe Shqipëria. Në këtë ekspozitë janë afishuar momentet emocionuese të kuqezinjve në europian nga debutimi në ndeshjen kundër Zvicrës e deri te fitorja historike ndaj Rumanisë.

Trajneri italo-shqiptar e cilësoi një eksperiencë unike kualifikimin e Shqipërisë dhe u shpreh se lutej t’i shihte sërish kuqezinjtë në një eveniment ndërkombëtar futbollistik. “Nga Europiani i 2016 kemi kujtime që nuk do të harrohen kurrë pasi ishte një eksperiencë shumë e rëndësihme për të gjithë për futbollistët, federatën, për mua dhe për të gjithë tifozët. Edhe për ju gazetarët besoj se ishte një eksperiencë unike dhe uroj që të mos mbetet e tillë por në të ardhmen Shqipëria të ketë mundësinë të shkojë në një kompeticion madhor që të jetojmë edhe njëherë ato momente që përjetuam ne në “Euro 2016″”.

Shqipëria duhet të besojë tek kualifikimi në Europian pasi me Ligën e Kombeve ka një shans më shumë dhe uroj që një eveniment tjetër i madh të vijë sa më shpejt sepse ndihmon sportin shqiptar”, u shpreh De Biasi.

Ish-trajneri kuqezi dha një koment edhe për zgjedhjet në FSHF. “Nuk di çfarë të them për zgjedhjet në FSHF por diçka mund ta sqaroj. Gjatë qëndrimit tim këtu Duka ka qenë një njeri i rëndësishëm për mua dhe për Federatën pasi gjërat që ka realizuar i ka bërë për të mirën e vendit dhe të sportit dhe besoj se askush më shumë se ai ka eksperiencën dhe mundësitë për t’i dhënë një shtysë përpara futbollit. Unë kam pasur gjithmonë një raport të mirë me të dhe kam pasur duart e lira për të vepruar. Është Presidenti më i mirë që mund të takoja“, ka thënë De Biasi.