Pas një eksperience më shumë se katër vjeçare dhe mjaft te bukur, Gianni De Biasi është drejt largimit nga Shqipëria. Trajneri i Kombëtares kuqezi mësohet se ka marrë oferta të rëndësishme nga Kina dhe për pasojë pritet që të largohet drejt kontinentit aziatik për të marrë drejtimin e ndonjë skuadre atje.

Gazetari italian Alfredo pedulla ka bërë publik këtë lajm, teksa mësohet se De Biasi mund të jete duke drejtuar ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Sipas të gjithë gjasave, italiani do të jetë në pankinë edhe për dy ndeshjet e radhës së kuqezinjve në miqësoren kundër Luksemburgut dhe në ndeshjen eliminatore ndaj Izraelit.

Më pas De Biasi do të largohet për të kaluar në Kinë, atje ku e pret një kontratë e majme në krahasim me atë që ai fiton te Shqipëria. Ende nuk ka asgjë zyrtare, por mediat italiane e bëjnë fakt të kryer këtë gjë dhe pritet që largimi të ndodhë menjëherë pas ndeshjes me Izraelin.