Ora shënoi mesnatë. Ishte koha për të hequr qafe provat. Duke ngjeshur artin e vjedhur në një valixhe të madhe, Pablo Picasso dhe Guillaume Apollinaire u sulën nga dera e studios së tyre drejt e në ajrin e dendur veror. Karroca do të qe me rrezik. Duhej të vazhdonin rrugën më këmbë. Dyshja e tërhiqte zvarrë valixhen nëpër rrëpirën e lagjes me kalldrëm të Montmartre-s. Nga larg Sena reflektonte, nën dritat me gaz, që ende pikëzonin brigjet e tij. Nëse arti do qe vjedhur nga kudo veçse jo në Luvër, mbase dyshja do kish qenë në gjendje ta zbuste panikun. Për tani, lumi dukej e vetmja shpresë. Më 22 gusht të vitit 1911 – afro dy javë më parë –botës i ish tërhequr vëmendja nga deklarata marrafrymëse e një roje muzeu,  ndërsa hynte në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të Luvrit. Mona Liza, imazhi i artit të lartë, ish vjedhur. Me daljen e lajmeve mbi vjedhjen, një operacion ndërkombëtar kërkimi u shtri shpejt nga Evropa përgjatë Atlantikut. Kufijtë e Francës u mbyllën dhe spektatorët nga e gjithë bota shtangën të shqetësuar. E megjithatë, në shumë mënyra, vjedhja e Mona Lizës ishte thjesht më shpërthyesja e përsëritje të gjatë e të vazhdueshme turpërimi ndaj Luvrit.

Muaj përpara grabitjes, një  reporter francez kish kaluar natën në një sarkofag të Luvrit për të ekspozuar mbikëqyrjen e dobët të muzeut. E nëse do ish përpjekur, vetë tablotë do të ishin rrëmbyer lehtë prej galerive. Edhe pse muze kombëtarë me emër, si italiani Uffizi, kishin  autorizuar  prej kohësh që pikturat e të vidhoseshin në mur, korpusi i veprave të Luvrit – përfshi edhe Mona Lizën –vazhdonin të vareshin të pambrojtura. Personeli i muzeut, për më tepër, lejohej të lëvizte vepra të artit me një mosndëshkim të pakontrolluar sa rojet do të mundeshin të raportonin mungesën e Mona Lizës vetëm 24 orë pas vjedhjes, duke hamendësuar se piktura ishte jashtë për shërbime mirëmbajtjeje. Edhe pas zbulimit, sidoqoftë, dyshimet ishin skarse. Ditët kaluan. Pastaj një javë. Të uritur për gjurmë që çonin drejt keqbërësit, hetuesit po humbnin shpresat. Kishin nevojë për pak thyerje –diçka, çfarëdo, për të qetësuar qindra mecenatë të artit që tani marshonin përditë përmes Luvrit për të kundruar hapësirën e bardhë ku dikur varej Mona Liza. Pastaj, si të qe një shenjë, retë nisën të shpërndaheshin. Më 29 gusht, tetë ditë pas zhdukjes së pikturës, një burrë i ri hyri në zyrat e Paris Journal dhe nisi të flasë. Quhej Joseph Géry Pieret. Gazeta e identifikoi atë thjesht si “Hajduti”.

Pas  një sërë rrëfimesh pa fre, Pieret tregoi me hollësi se si në vitet e fundit kish zhvilluar një pasion thuajse të sëmurë për të rrëmbyer vepra të vogla arti nga Luvri. Për të provuar pretendimin e tij, Pieret kish prodhuar një statujë të vogël që u pohua shpejt nga kuratorët e Luvrit se ish një vepër Iberike nga ekspozita e artefakte para të krishtera të muze. Pyetja erdhi e atypëratyshme dhe e uritur: A ishte Pieret përgjegjës për grabitjen e Mona Lizës? A e dinte ai kush ishte? Ndaj këtyre akuzave Hajduti ngurroi, duke ndarë se ai vetëm sa kish shitur më parë dy statuja të tjera “një miku piktor” në Paris, që kish një magjepsje ndaj artit Iberik. Befas çështja mori vrull. Megjithëse botuesit e Paris Journal refuzuan t’i jepnin policisë emrin e burimit të tyre anonim, Hajduti kish lënë një gjurmë – a nom de plume në rrëfimet e tij të botuara, nxjerrë drejt e nga shkrimet e poetit avangard, Apollinaire. (Siç policët do të zbulonin më vonë, Pieret ishte në fakt ish-sekretari i shkrimtarit.) Fill pas, hetuesit francezë po trokisnin në derën e Apollinaire-it. Por policia nuk mendonte se ai kish vepruar krejt i vetëm. Apollinaire-i ish një anëtar i devotshëm i shpurës moderniste të Picasso-s, quajtur si la bande de Picasso—një grup pasionantësh artistikë të njohur nëpër qytet si “Burrat e Pazbutur të Parisit”. Këtu, policia besonte, se ishte një zinxhir hajdutësh arti mjaft të sofistikuar për ta rrëmbyer Mona Lizën. Kishte vetëm një problem: as Apollinaire e as Picasso nuk kishin luajtur asnjë rol në zhdukjen e pikturës. Sipas rrethanave, kërkimi i policisë në apartamentin e poetit dështoi në nxjerrjen e provave të reja.

Por dy artistët vështirë se ishin të pafajshëm. Vërtet sipas dëshmisë së Pieret-it, Picasso kish mbajtur dy statuja të vjedhura Iberike të fshehura në bufenë e apartamentit të tij, në Paris. Pavarësisht protestave të mëvonshme të artistit për padijeni,  nuk kishte dyshim në origjinën e tyre. Pjesa fundore e secilës ishte e stampuar me gërma të mëdha: Pronë e Muzeut të Luvrit. Të goditur me perspektivën e kthimin në vendet e tyre të lindjes, Picasso dhe Apollinaire e panë të udhës  të ndërmerrnin një veprim radikal, duke i futur dy statujat e vjedhura Iberike në një valixhe të vjetër, të cilën e hoqën zvarrë në brigjet e Senës. E megjithatë ndërsa dyshja kundronte ujërat e murrëta të lumit, në orët e para të 5 shtatorit 1911, asnjë nuk mund t’i thoshte vetes ta linte aty valixhen. Të ngrysur, ecën tre milje drejt studios së tyre. Më vonë, atë mëngjes, Picasso i ktheu statujat te gazeta që kish botuar më parë dëshminë e Pieret-it. Dy ditë më vonë, Apollinaire ishte prapa hekurave, ku ua dorëzoi Picasso-n dhe Pieret-in policisë. Shkrimtari do të kalonte disa ditë në burg përpara se ta shihte sërish Picasso-n, këtë herë në gjykatë ndërsa u përballën me akuzat për përfshirje  në artin e vjedhur nga Luvri. Në fund, procesi rrodhi më farsë sesa finalja. Apollinaire rrëfeu gjithçka: se kish strehuar Pieret-in, kish poseduar art të vjedhur, kish komplotuar për të fshehur provat. Picasso –në dhimbje se kish projektuar krekosjen mashkullore – qau haptas në gjykatë, duke pohuar në mënyrë histerike në një pikë të gjyqit se ai nuk e kish takuar kurrë Apollinaire-in. I mbytur me dëshmi kontradiktore dhe pakuptim, gjyqtari Henri Drioux e rrëzoi çështjen, duke i liruar të dy burrat me vetëm një paralajmërim. Po aq beftë sa ishin bërë e dyshuar, dyshja tashmë ishin të lirë. Dy vite më vonë, në dhjetor të vitit 1913, Mona Liza do të shfaqej në Firence, me buzëqeshjen saj enigmatike po aq joshëse sa gjithmonë. Sipas burrit që në të vërtetë kish vjedhur veprën –një Vincenzo Peruggia –ambicia e tij e vetme ishte të shihte pikturën të kthehej në vendlindjen e saj. Sot, historianët vazhdojnë të debatojnë legjitimitetin e patriotizmit të hamendësuar të Peruggia-s. E megjithatë në Paris, mund vetëm të imagjinonim Picasso-n të merrte frymë i çliruar ndaj lajmeve, mirënjohës  që  akuza e mëparshme nuk e kish dënuar me dëbim në atdheun e tij spanjoll.