Në vazhdën e përgatitjeve për organizimin e Kongresit të dytë të RDK-së, vijon rekonstruimi i brendshëm partiak ku me unanimitet të plotë nga ana e Kuvendit të degës, për kryetar të degës së RDK-së në Ohër u zgjodh Burim Salihu. Në të njëjtën kohë, Kuvendi zgjedhor zgjodhi kryesinë e re të degës si dhe delegatët e Kongresit që do të përfaqësojnë rajonin e Ohrit në Kongresin e dytë partiak të RDK-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i sapozgjedhur i degës Burim Salihu falënderoi kuvendarët për besimin e dhënë dhe u zotua se kurrë nuk do të zhgënjej këtë besim të dhënë. Kryetari i degës Burim Salihu, i ftoj të gjith njerëzit e vullnetit të mirë të marrin përsipër barrën e përgjegjësisë për të ndryshuar të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, dhe këtë ta bëjnë nëpërmes Rilindjes Demokratike Kombëtare, me qëllim që në asnjë moment mos të lejojmë dikush tjetër të vendos për të ardhmen e fëmijëve tanë.

I pranishëm në këtë Kuvend zgjedhor ishte edhe kryetari i RDK-së Vesel Memedi, i cili foli rreth aktualitetit politik në vend, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare, ku në mes tjerrash tha: “Ballkani perëndimor ndodhet para një situate mjaft komplekse dhe delikate dhe për këtë arsye nuk guxojmë që kjo situatë t’i gjej shqiptarët në gjumë. Shqiptarët duhet të jenë të zgjuar dhe mjaft vigjilent, dhe në asnjë moment nuk duhet tolerruar që edhe më tutje të manipulohen nga politikan dhe figura të ndryshme publike, dhe e gjitha në kurriz të shqiptarëve. Ai gjithashtu theksoi se secila parti politike duhet të pastroj me të kaluarën e vet, sepse kjo e kaluar nuk lejon zhvillimin e shoqërisë dhe vendit. E kaluara është duke e mbajtur peng një shoqëri të tërrë, dhe për këtë arsye liderët politik duhet sa më shpejtë të pastrojnë oborin e tyre sepse në të kundërtën pasojat do të jenë të rënda, theksoi nëmes tjerrash kryetari i RDK-së Vesel Memedi.