102 banorëve të pastrehë të Hasanbegut dhe Stajkovcit i kanë ngelur edhe dy ditë për të braktisur Konviktin studentor  në lagjen e Aerodromit, pas vendimit qeveritar që ata deri më 10 shkurt duhet të lëshojnë këtë objekt.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi deklaroi se Qeveria deri nesër do të sjellë vendim që sipas tij, qëndrimi i këtyre familjeve të vazhdojë deri në prill.

“Mendoj se sot, më së voni nesër, qeveria do të zgjat afatin e familjeve deri në prill që të qëndrojnë në konvikt. Ata kanë marrë dëmshpërblimin,  do u japim afat, nëse nuk kanë filluar me rindërtimin  e shtëpive, me ato para që I kanë fituar të fillojnë me rindërtimin e shtëpive të tyre”, u shpreh Ibrahim Ibrahimi, Ministër për punë dhe politikë sociale.

Kundër largimit të të pastrehëve janë edhe nga drejtoria e këtij konvikti, por edhe nga studentët. Studentët theksojnë se janë të gatshëm edhe të protestojnë kundër vendimit për largimin e tyre.

“Me keq ardhje e lexuam vendimin për ti larguar familjet dhe ne si student u bënë gati 4 muaj që janë bashkë me familjet këtu në konvikt dhe absolutisht nuk na pengojnë. Besoj që në këtë kulm të dimrit do ishte e padrejtë që ato të mbesin pa strehim”, tha Bashkim Ramadani, student.

Vendim për tu larguar më së keqi po e përjetojnë familjet që janë në këtë konvikt. Ata theksojnë se shuma që kanë marrë si dëmshpërblim nga shteti nuk u mjafton për të ndërtuar një shtëpi.

“Kanë marrë vendimin që të na largojnë prej konviktit, por ne s’kemi ku të shkojmë shtëpitë I kemi të shkatërruara, ato janë komplet të prishura, duhet ti ndërtojmë që nga themeli. Kemi marrë dëmshpërblime por shumë pak, dhe na I kanë dhënë tani gjatë dimrit, nuk ndërtohet shtëpia në mes dimrit, nëpër borë. Na I kanë dhënë vetëm 3 000 euro, ato para nuk dalin për asgjë”, tha Jonuz Rushiti, banor I Hasanbegut.

E këtë shqetësim e ka edhe Nazif Mamuti, I cili jeton në konvikt, dhe që nuk mund të kthehet në shtëpinë që ka pasur pasi që ende nuk i ka plotësuar kushtet elementare për jetesë.

“E kam ndërtuar shtëpinë, me para borxh, që më kanë ndihmuar, pak dhe nga paratë e dëmshpërblimeve. Unë nuk mund të dal te kjo shtëpi sepse nuk ka as rrymë të instaluar as ujë, shumë ftohtë, të paktën edhe 2 muaj të mund të qëndronim në konvikt”, tha Nazif Mamuti, banor I Hasanbegut.

Lidhur me dëmshpërblimin e shtëpive që pësuan dëme gjatë vërshimeve të 6 gushtit të vitit të kaluar, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi theksoi se Qeveria ka bërë punën e saj lidhur me dëmshpërblimin, por ai nuk ka komentuar ankesat e qytetarëve, se nuk është bërë vlerësim real.