Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj përmes një letre ka uruar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në 109 vjetorin e formimit.

Në këtë letër drejtuar homologut të tij, Niko Peleshi dhe Gjeneralit Bajram Begaj, ndër të tjera Mehaj thekson se sukseset e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë do të forcohen në misione të përbashkëta.

“Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Mehajt.

Po ashtu, Mehaj në këtë letër thotë se bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake.

“E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë”, thuhet në letër.