Kandidatja për presidente të SHBA-së, senatorja Elizabeth Warren i është përgjigjur publikisht një deklarate të bërë nga drejtori ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, duke thënë se ajo nuk do të ndalet për të ndikuar që kompanitë teknologjike të jenë përgjegjëse kur bëhet fjalë për praktikat antikompetitive.

“Nuk kam frikë t’i mbaj përgjegjëse ndërmarrjet e Big Tech si Facebook, Google dhe Amazon…”, ka shkruar Warren.

Ndryshe, më 1 tetor, mediumi The Verge ka publikuar një tekst dhe audio nga takimet e brendshme të fundit në Facebook, ku drejtori ekzekutiv, Mark Zuckerberg iu është përgjigjur pyetjeve të vështira nga punonjësit që janë të shqetësuar për të ardhmen e kompanisë.

Zuckerberg kishte biseduar me punonjësit e tij rreth kritikëve, konkurrentëve dhe senatores Elizabeth Warren, ndër të tjera.

“Ju keni dikë si Elizabeth Warren e cila mendon se përgjigjja e duhur është shkatërrimi i kompanive”, citon CNN, Zuckerbergun, duke u thirrur në bisedën e transkriptuar nga audio e marrë nga The Verge.

Sipas The Verge, audio vjen nga dy takime të hapura që Zuckerberg zhvilloi me punonjësit e Facebook-ut në korrik, në të njëjtin muaj kur kompania ra dakord të paguante një gjobë prej 5 miliardë dollarësh në një marrëveshje me Komisionin Federal të Tregtisë për trajtimin e tij të të dhënave personale të përdoruesve.

Siç bëhet e ditur, audio përfshin sesione pyetjesh dhe përgjigjesh me Zuckerberg.