28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e ditës së flamurit. Sa herë vjen ky muaj Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhi pikërisht më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt. Ajo që ndikoi që UÇK-ja, të bëjë publike ushtrinë e formuar ishte vrasja në mënyrë tinëzare e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga ushtria serbe.

Të tre djemtë, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalur për herë të parë publikisht para opinionit publik si ushtarë të UÇK-së.

Që të tre para një numri të madh qytetarësh dhe me plot emocion panë leximin e deklaratës së UÇK-së. Atë ditë të 97-ës, këtë detyrë e kishte ushtari Rexhep Selimi. Deklarata e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për paraqitjen e saj të parë publike u përgatitë nga vet ushtarët e UÇK-së. Vështirë të mendohej në atë kohë se ajo copë letër, që për ushtarët e UÇK-së dukej shumë e thjeshtë, një ditë do të kishte rëndësi historike. Ndërsa, ky ka qenë edhe fillimi i paralajmërimit të një ushtrie që më vonë do t’i bënte rezistencë ushtrisë dhe policisë serbe, deri në çlirimin e Kosovës.