Gjatë vitit 2022 në vendin e punës jetën e kanë humbur 22 persona, ndërsa kanë ndodhur 169 fatkeqësi. për Shoqatën për Mbrojtje në Punë kjo shifër nuk është reale sepse deri në vitin 2020 ka patur rreth 1500 të lënduar në nivel vjetor. Thonë se vrasësi më i madh është bujqësia. Ankohen se nuk ka analiza të mirëfillta lidhur me të aksidentuarit dhe të lënduarit në vende të punës, por përpiqen që këto të dhëna t’i mbledhin nga mediat dhe qytetarët.

“Shoqata për Mbrojtje në Punë numëron madje 22 të vdekur në vendin e punës. Kjo na vë në listën e vendeve me rrezik që nëse bëjmë krahasim me vendet europiane ku mesatarja është 2,11% të vdekur në 100 mijë punëtorë, tek ne ky numër është diku 3,17%. Mund të vërejmë se edhe më tej vazhdon trendi i mos analizimit, mos evidentimit, thjeshtë bëhemi të verbër për, kushtimisht thënë, zonën e minuar e cila ekziston në Maqedoni e ajo është vendi i punës”, tha Milan Petkovski, Shoqata për Mbrojtje në Punë.

Përfaqësuesi i këshillit paneuropian rajonal – PERC, Anton Lepik, kërkoi që në çdo vend pune të respektohen standardet ndërkombëtare të shëndetit dhe sigurisë, sepse siç thotë, statistikat për vdekshmërinë dhe të lënduarit në vende pune janë shqetësuese.

“Kam dëgjuar se në Maqedoni 22 kolegë kanë vdekur në vendin e punës për shkak të aksidenteve. Në të gjithë botën statistikat thonë se më shumë se 3 milionë punëtorë vdesin në një vit dhe më shumë se 10 milionë vdesin për shkak të sëmundjeve profesionale. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të sigurohemi që ndërkombëtarisht të pranojmë standardet e shëndetit dhe sigurisë në punë dhe kjo të respektohet kudo”, pohoi Anton Lepik, përfaqësues i Këshillit panevropian rajonal PERC.

Në ngjarjen “Siguri dhe shëndet në punë nga vegjëlia – hap pas hapi” u ndan grante dhe mirënjohje për subjekte juridike dhe organizata qytetare të cilët më së miri kanë respektuar dhe praktikuar të drejtat dhe obligimet e punëtorëve për mbrojtje gjatë punës. Ministrja për punë dhe politikë sociale Jovanka Trençevska tha se kompanitë të cilat respektojnë këto standarde, kanë punëtorë më produktiv, ndërsa njoftoi se po përgatitet ligji i ri ku sigura dhe shëndeti i punëtorëve do të përfshihen në procesin arsimor.

“Për momentin po e punojnë propozim ligjin e ri për siguri dhe shëndet gjatë punës i cili duhet të përfshijë dhe përmbajtje mësimore në procesin arsimor për siguri dhe shëndet në punë dhe ligj i cili do të përshtatet me të gjitha direktivat evropiane të cilat kanë të bëjnë me siguri dhe shëndet gjatë punës dhe e cila do të sigurojë siguri shumë më të madhe për punëtorin në vendin e tij të punës”, deklaroi Jovanka Trençevska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

Sipas ministres Trençevska, edhe punëtorët të cilët do të angazhohen për ndërtimin e autostradave të korridorit 8 dhe 10D, do t’u ofrohet siguri maksimale gjatë punës ndërsa për çdo orë që do ta punojnë jashtë orarit, do u paguhen të holla shtesë. Ndërkohë për 22 viktimat e vitit të kaluar të cilët humbën jetën në vendin e punës, Shoqata për Mbrojtje në Punë mbolli 22 fidane në parkun e Lisiçes së re të komunës së Aerodromit. 28 prilli shënohet si dita ndërkombëtare e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës.