Autore:Dr.Donika Bakiu
23 prilli i njohur ndryshe si Dita Botërore e Librit dhe e Drejta e Autorit, ose Dita Ndërkombëtare e Librit, është një ngjarje vjetore e organizuar nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) për të promovuar leximin, botimin dhe të drejtat e autorit.Dita Botërore e Librit u shënua për herë të parë në 23 Prill 1995 dhe vazhdon të njihet në atë ditë.Shkëmbeni ide dhe frymëzim për librat më të mirë dhe aktivitetet e bazuara në libra për të gjitha moshat, fazat dhe cilësimet.Ne e dimë se leximi mbështet arritjet akademike, aftësitë sociale, ndjeshmërinë, zhvillimin e identitetit dhe mirëqenien.Gjulten Ajruli –Bibliotekare e Lartë në IN Biblioteka “Koço Racin-Tetovë” thotë:’’Bibliotekat dhe institucionet tjera kulturore si shtylla të kulturës dhe përhapjes së dijes gjithmonë kanë luajtur rol kyç në shoqëri. Sot, këto institucione, po përballen me probleme të shumta dhe janë në luftë të vazhdueshme me përhapjen e teknologjisë e cila në një farë mënyre ka ndikuar negativisht në zhvillimin dhe ngritjen e nivelit kulturorë në mënyrën tradicionale dhe të sigurt, ashtu siç ishim mësuar më parë.Megjithatë, edhe pse janë faktorë të shumtë që ndikojnë në “zbehjen” e dëshirës për të lexuar, Biblioteka në Tetovë akoma llogaritet si një ndër bibliotekat me numër më të madh lexuesish aktiv në tërë vendin tonë.Jemi mësuar gjithmonë të kërkojmë fajtorin dikund tjetër, pa u munduar që në fiillim të nisim nga vetvetja dhe për të vazhduar pastaj në rrethin më gjerë. Ndërsa po flasim për 23 prillin, Ditën Botërore të Librit, janë librat, lexuesit, dëshira për të lexuar, mënyra se si t’i nxisim më tepër për të lexuar, tema këto që më së shumti na mundojnë dhe preokupojnë së fundmi. Të rinjtë, nxënësit, studentët janë kategori lexuesish me të cilët duhet më tepër të angazhohen institucionet, familja dhe shoqëria në përgjithësi. Ata duhet të kenë model para vetes. Nëse të rinjtë nuk inkurajohen sigurisht që ata do të gjejnë rrugën më të lehtë dhe më komforte për të vepruar, pa u munduar në mënyrë të mirëfilltë dhe të sigurtë, rrugë kjo që do t’i çonte në një sukses të pamohueshëm.Aktivitetet e shumta të cilat Biblioteka e Tetovës i organizon me qëllim të vetëm dhe atë të nxitjes së dëshirës për të lexuar si dhe për të qenë gjithmonë më afër lexuesve të saj sigurisht që kanë ndikuar thënë kushtimisht “mbajtjen nën kontroll” të lexuesve të saj.Preferencat e tyre për të lexuar, sigurisht që ndryshojnë varësisht nga kategoritë që ata u përkasin, nga shija por edhe nga periudha kohore kur ata huazojnë materiale nga biblioteka.Megjithatë, si tituj më të kërkuar kohëve të fundit janë:Delia Owens “Atje ku këndojnë karavidhet”,Jane Austen “Krenari dhe paragjykim”,Colleen Hoover “Kockat e zemrës, “Pengu im”,Elif Shafak “Pallati bonbon”, “ Ishulli i pemëve të zhdukura”,Irvin Yalom “ Kuptimi I jetës”, “Të shohësh diellin në sy- kapërcimi i tmerrit të vdekjes”,John Grisham “Të fshehtat e malit Grei” “Më në fund gjykatës”,Johanna Lindsey “Thjesht për pasion”,Clarke Lucy “Njëra nga vajzat”,Kleypas Lisa “Sekretet e një nate vere” “Mëkate dimri, “”Ndodhi në vjeshtë”, “Skandal në pranverë”.Letërsi për fëmijë:Sam Copeland ”Uma dhe përgjigjja e të gjitha pyetjeve”,Clive Staples Lewis “ Kronikat e Narnies”,Bedri Dedja “Republika e 1100 çudirave”,R. J. Palacio “ Mrekullia”,Holly Smale “ Vajza shushkë”.Në sektorin për fëmijë gjithmonë huazohen edhe lekturat shkollore që janë në plan programin mësimorë të shkollave fillore’’.
Elma Sherifi, Përgjegjëse e Njësisë së Kulturës nga Komuna e Tetovës thotë:’’Libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor . Librat, si burime të pasur me vlera, morale dhe njohuri njerëzore, shërbejnë si udhërrëfyes të jashtëzakonshëm për formimin e një karakteri të qëndrueshëm dhe të ndërgjegjshëm. Leximi i librave kultivon imagjinatën dhe krijimtarinë e individëve. Duke përfshirë veten në histori të ndryshme dhe duke ndjekur universa të veçanta, lexuesit çaktivizojnë fuqinë e imagjinatës për të krijuar pamje të tyre. Përmes ndërthurjes së elementëve të librave, ata zhvillojnë histori të tyre personale dhe eksperimentojnë me mundësi të ndryshme. Në një botë që po ndryshon me një ritëm të vazhdueshëm, ku zhvillimet teknologjike dhe kulturore ndikojnë në përditshmërinë tonë, roli i leximit të librave në zgjerimin e horizonteve njohëse të individëve është i papërshkrueshëm. Nëpërmjet eksplorimit të faqeve të librave të ndryshëm, lexuesit hyjnë në një udhëtim të pasur me njohuri. Ku lexuesit përjetësojnë dhe reflektojnë mbi vlerat dhe kuptimet që janë thellësisht të ndërlidhura me zhvillimin dhe qëllimin e jetës njerëzore. Leximi i librave ndikon drejtpërdrejtë në avancimin e aftësive komunikuese të individëve.Aftësitë komunikuese të forta janë jetike në çdo sferë të jetës, përfshirë marrëdhëniet profesionale, akademike dhe sociale. Leximi i librave nuk është thjesht një aktivitet, por një rrugë e pasur dhe e frytshme drejt zhvillimit personal. Të gjithë librat që kam lexuar ndër vite kanë peshën dhe vlerën e vetë, por unë do veçoja disa: ‘’Kodi i Da Vincit’’-Dan Brown, ‘’Rruga në të cilën rrallë shkohet’’- Scott Peck, ‘’Bijtë e gënjeshtrës’’- Scott Peck, “Kur qau Niçja” – Irvin D. Yalom, ‘’Pride and prejudice’’ – Jane Austen, “Të vrasësh zogun përqeshës” -Harper Lee , “Tri bijat e Evës” – Elif Shafak,’’Dyzet rregullat e dashurisë’’-Elif Shafak, ‘’Femrat’’- Charles Bukowski’’.
Profesoresha e Fakultetit Juridik në UNT Kaltrina Zekolli Shaqiri thotë:”Këtë vit kam lexuar vetëm libra psikologjik, sepse ato me kanë ushqyer dhe ngushëlluar, libra edhe me përmbajtje fetare. Kam gjet ngushëllim dhe një sqarim tek to. Siç është: “Ringjalle zemrën”, ‘’Mos u trishto’’, ‘’Dhurata e përkohshme’’ Amsaa Hussei, ‘’I wasn’t ready to say goodbye’’. Dmth literaturë e huaj më shumë më ka shoqëruar këtë vit, gjithmonë me propozim të miqve që kanë kaluar dhimbjen e njejte ose të ngjashme me mua. Mua personalisht më pëlqen publicistika.Libra që gjithmonë më pëlqejnë janë padyshim të Lea Ypi”.
Prof.dr Arta Mero,Profesoreshë e së drejtës familjare dhe trashëgimore,Fakulteti Juridik-UEJL thotë:‘’Romanet të cilët do t’ua kisha preferuar dashamirëve të leximit e të cilët do t’i kisha veçuar nga lista e librave të lexuar gjatë vitit të kaluar janë: Aty ku këndojnë karavidhet e autores Delia Owens; Ana Eliot nga Jane Austen; nëse doni të lexoni storie intriguese dhe pasionante ua propozoj librin ‘’E vërteta mbi çështjen Herri Kjubert’’ të cilin ma ka propozuar një lexuese tjetër e përkushtuar Genta Abdiji. Një nga librat shumë të bukur feminist përmes të cilit autorja Bell Hock tenton të na mësojë se së pari duhet ta duam veten dhe të jemi të plotësuar me vetveten për të filluar më pastaj ta duam edhe tjetrin është libri ‘’All About Love’’. Për ata që tanimë kanë lexuar romanet nga trilogjia ‘’Milenium’’ ua sugjeroj historinë lufatarake të hakeres Lizbet Selender ‘’Vajza në rrjetën e marimangës’’ një storie e fuqishme me tematikë të krimit kibernetik; një libër këshillues dhe motivues ‘’Shprehi atomike’’, që përmes fakteve na mëson se një hap shumë i vogël mund të na sjell rezultate dhe ndryshime të mëdhaja në jetë.Librin që e kam në duar këto ditë është ‘’Muzeu i pafajësisë’’ nga Orhan Pamuk’’.
Emira Selimi,themeluese e Bibliotekës së parë shqipe në Manastir’’ Linkest’’ thotë:‘’Shumë ankohen se të rinjtë nuk lexojnë, gjë që unë nuk e pranoj. Arsye kryesore që mendoj unë se të rinjtë kanë dëshirë për të lexuar janë edhe periudhat e vështira depresive, mos të harrojmë se rinia e periudhave të sotme vuajnë shumë nga depresioni në krahasim me gjeneratat e periudhave të kaluara. Zakonisht e them me keqardhje, në bibliotekën Linkest në Manastir më së shumti nga të rinjtë “gjimnazist”, kërkohen libra psikologjik, libra si të shërohemi nga depresioni, libra emocional dhe shumë pak libra historie, romane për moshat e tyre, ose shkencë libra profesional. Më së shumti pa ndërpreje është kërkuar romani “E premtja”, nga Klenti Hodo, gjë që unë nuk mendoj se është libër i preferueshëm për grupmoshat 14, 15, 16 dhe 17 vjeç. Fatmirësisht fëmijët e vegjël lexojnë atë që ne u themi, zakonisht ua japim ( Borbardhën, Kësulkuqen, poezitë e moshave të tyre etj ) pasiqë janë fëmijë shumë të vegjël, janë diku 60 fëmijë. Libra me motive kombëtare lexojnë vetëm pensionerët dhe tek- tuk ndonjë qytetar që e kujton diçka e trishtë nga e kaluara. Interes për bibliotekën kanë e gjithë zona e Pellagonisë, poashtu vizitorë vijnë më shumë nga Kosova dhe Shqipëria. Një lutje për të gjithë dashamirësit e librit, lexoni sa më shumë libra shkencorë pasiqë ajo që kemi më së shumti nevojë si komb është zhvillimi i edukimit dhe dashuria më e madhe për shkencë’’.
Aroma Aliti punonjëse në Bibliotekën ‘’Max van der Stoel’’ thotë:’’Biblioteka Max van Der Stoel është një prej shtyllave kryesore të UEJL-së, është ai vendi ku studentët lidhen me dijen dhe gjejnë qetësinë. Ne si bibliotekë posedojmë një numër të bollshëm librash dhe vazhdimisht mundohemi të sjellim risi në bibliotekë përmes titujve të ri që studentët të inkurajohen për të lexuar edhe më shumë. Këtë vit si çdo vit sipas të dhënave tona lexueshmëria vazhdon të jetë e njëjtë dhe ne jemi të kënaqur për këtë pjesë, ndërsa sa i përket librave më të kërkuar në përgjithësi janë librat universitar të vetë profesorëve tanë dhe do të ishte e pamundur t’i numëroj të gjithë veçmas. Ne do t’ju kishim sugjeruar librat më të shitur të kohërave në gjithë botën që tashmë i posedojmë në bibliotekë si tituj të ri, titujt e disa prej tyre janë : “Shërbetorja” – nga Freida McFadden, “Rrethuar nga idiotë”- nga Thomas Erikson, “Çudia në mendjen time”- nga Orhan Pamuk, “I vetmi libër që duhet të lexosh për financat” – nga Thomas Kehl, “Komploti” – nga Ben Blushi dhe disa të tjera në gjuhën angleze si : “Iron Flame” – nga Rebecca Yarros, “The Fury” – nga Alex Michaelides’’.
Genta Abdiji studente e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore thotë:’’Librat e mi të preferuar të vitit 2024 përfshijnë: “E vërteta mbi çështjen Herri Kjubert” nga Stieg Larsson. Një roman i mrekullueshëm i mbërthyer në suspansë dhe krim. “Muzeu i pafajësisë” nga Orhan Pamuk. Një klasik i së ardhmes. “Rebeka” nga Dafne du Maurier. Një mister i qëndisur me romancë të errët dhe krim po ashtu. Ndërsa në librat për moshat më të reja sugjeroj: ‘’Saga e Muzkut’’, “Faji në yjet tanë”, “Gjuetari i Balonave” dhe “Një mijë diej vezullues”. Mendoj se janë veprat më të këndshme të mundshme për një pasdite leximi’’.
E vetmja gjë që themi, është se librat do të vazhdojnë të jenë burim i vazhdueshëm i rehatisë dhe ndriçimit për jetën tonë.Inkurajoni leximin kudo që jeni duke vënë në dispozicion libra. Lini një kohë të caktuar të ditës për lexim.