Me fillimin e programit 24 orësh në gjuhën shqipe, Servisit të Dytë do t’i duhet punësimi i kuadrove të reja dhe shpenzime tjera për pajisje teknike për prodhimin e programit, prandaj sipas profesorit universitar, Sefer Tahirit, dhe gazetarit, Arben Ratkocerit, është e nevojshme që të rriten mjetet për Servisin e Dytë.

“Edhe 1%, edhe 0.7%, janë nxjerrë në një farë mënyre duke u bazuar tek shpenzimet rrjedhëse, tek shpenzimet operative të cilat i ka televizioni. Duhet të bëhet një analizë më e qartë që kjo shifër të rritet edhe më shumë, për shkak se kur janë bërë këto përllogaritje nuk është marrë parasysh fakti se do të ketë kanal të dytë, i cili do të jetë 24 orë në gjuhën shqipe dhe do të ketë kanal të bashkësive që do të jetë një kanal i veçantë, me atë që kanali parlamentar me siguri do të transferohet në kanalin e katërt”,- deklaroi profesori universitar, Sefer Tahiri.

“Nëse nuk ke para, nuk ke televizion. Nëse nuk bëhet një ndarje strikte e televizionit, mirëpo edhe një mekanizëm për llogaridhënie nga ana e stafit drejtues të televizionit, do të jetë problem dhe do të vazhdohet me avazin e vjetër. Nuk duhet të harrojmë se televizioni publik nuk mund të futet në konkurrencë me televizionet private. Të jem më pragmatik, televizioni publik nuk mund të japë seriale turke e latine sepse ka një karakter shumë më fisnik, edukimin dhe informimin e brezave”,- tha pronari i Gazetës “Koha”, gazetari Arben Ratkoceri.

Sa i përket zgjedhjes së këshillave programorë të Agjencisë për media audio dhe audio-vizuale dhe Servisit Publik, gazetari Xhelal Neziri, kërkon transparencë të të gjithë procesit, ndërsa profesori Tahiri thotë se ky është propozim i ekspertit, Piter Van Haute, me të cilin synohet një lloj legjitimimi i anëtarëve, por vlerëson se ky ligj duhet të sillet me votim të shumicës absolute.

“Konkursi duhet të jetë i hapur dhe me kritere paraprakisht të përcaktuara dhe program i cili do të mbrohej në mënyrë publike, ashtu siç ishte edhe sot mbledhja e komisionit. Unë mendoj se në atë rast edhe opozita, edhe pse në këtë moment është destruktive dhe bllokon gjithçka, por nuk besoj se do të jetë ajo që do të bllokojë këtë proces”,- u shpreh gazetari, Xhelal Neziri.

“Shumica absolute, edhe pse mund të duket qëndrim pragmatik, sepse e përshpejton procesin e reformave, në anën tjetër nuk e humb legjitimitetin e kandidatëve të cilët do të zgjidheshin. Vetëm në këtë mënyrë reformat do të përshpejtohen, ndryshe, jo vetëm për RTVM-në, jo vetëm për Agjencinë e mediave, por reformat do të mbesin në pjesën e debateve të stërzgjatura në parlament”,- theksoi profesori universitar, Sefer Tahiri.

Për panelistët, edhe ligji paraprak për rregullimin për media nuk ka qenë i keq, por problemi ka qenë në moszbatimin e ligjit. Ata uruan që ligji i ri të ketë më shumë fat në zbatim./al.mrt/