Ndonëse kryeministri Zoran Zaev zhvilloi takime me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe me liderët e opozitës shqiptare Sela dhe Gashi me qëllim zhbllokimin e Kuvendit, megjithatë Kuvendi edhe më tej vazhdon të jetë i bllokuar. Kryeparlamentari Xhaferi në takim me gazetarët, informoi se me amendamente nga opozita janë bllokuar gjithsej 27 ligje.

“Ky nocion “kuorum” nuk mund të interpretohet se është obligim i vetëm 61 deputetëve të shumicës. Parlamenti vendos nëse ka shumicë, pa marrë parasysh a është pozitë, a është opozitë se parlamenti s’është i ndarë, një pjesë shumica dhe një pjesë opozita. Të drejtat dhe obligimet i kemi të njëjta”, tha Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

VMRO-DPME ka bllokuar 6 ligje. Në ndërkohë planifikon që të formojë disa grupe parlamentare në Kuvend, me qëllim të siç thonë të kenë mekanizma më të mëdha në punën e Kuvendit.

“Sipas Rregullores ekzistuese që e shfrytëzojmë për Kuvend, neni 33 thotë: Në Kuvend mund të themelohen grupe parlamentare, paragrafi 2 thotë: Grupin e deputetëve e përbëjnë më së paku 5 deputet të cilët i përkasin një partie ose më shumë partive politike. Ashtu që mundësi ligjore kemi”, theksoi Nikolla Miveski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por për Xhaferin kjo është e papranueshme. Ai vlerëson se nuk ka bazë dhe se kjo është tentativë tjetër për bllokim të Kuvendit.

“Nuk ekziston mundësia në Rregullore për këtë”, shtoi kryeparlamentari Talat Xhaferi.

E nga LSDM këtë e shohin si paralajmërim i një 27 prilli të ri.

“Sa i takon paralajmërimit të formimit të më shumë grupeve parlamentare nga ana e VMRO-DPMNE-së, tek unë dhe tek një pjesë e madhe e qytetarëve përngjan në ndonjë paralajmërim për atë që nënkupton 27 prilli 2017-tës.Për fat të keq ajo matrica e regjimit të VMRO-DPMNE-së e cila ende e udhëhequr nga Nikolla Gruevski nuk ka ikur dhe nuk më befason një paralajmërim i këtillë”, potencoi Kostadin Kostadinov – deputet i LSDM-së.

Edhe ASH-AAA formimin e grupeve parlamentare e sheh si mënyrë për të bllokuar Kuvendin dhe për të zvarritur çdo debat për çdo ligj. Ndërkohë që me amendamentet e tyre janë bllokuar gjithsej 20 ligje.

“Nuk kemi deklaruar asnjëherë se do t’i tërheqim edhe amendamentet tjera. Pra kemi thënë që amendamentet tjera do të shohim si do të rrjedhë procesi. Besoj se procesi është në rrugë të mbarë, është nga fundi dhe do të ndodhë e njëjta”, u shpreh Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Më 5 maj, do të vendosen në votim disa ligje për të cilat eshte shterur debati, kurse opozita deklaroi se do të jetë prezent. Kryeparlamentari Xhaferi tha se më 18 maj do të thirret seancë e re.