Mijëra britanikë raportohet se e kanë lënë duhanin gjatë bllokimit të coronavirusit, thuhet në studimin e fundit të YouGov.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një total prej 1,004 personash në Britani u pyeten dhe dy për qind e duhanpirësve thonë se kishin hequr dorë nga ky ves.

Duke e përmbledhur të gjithë popullsinë në Mbretërinë e Bashkuar, YouGov pohon se kjo do të thotë se deri në 300 mijë britanikë mund ta kenë lënë duhanin, për shkak të shqetësimeve që pirja i vë në rrezik nga COVID-19.

Prej kohësh është bërë e ditur që duhanpirësit e kanë shëndetin më të rrezikuar sesa ata që nuk e pinë duhanin, pasi katrani, nikotina, dhe substanca të tjera bllokojnë rrugët e frymëmarrjes dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme për një kohë të gjatë në organet.

Sondazhi i britanikëve i botuar sot, zbuloi se deri në 300 mijë – dy për qind e duhanpirësve – kanë lënë duhanin që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit.

Për më tepër më shumë se gjysmë milioni (tetë për qind) janë përpjekur të frenojnë varësinë, 2.4 milionë (36 për qind) e kanë reduktuar, dhe 27 për qind thanë se kishin shumë gjasa që do të hiqnin dorë nga duhani.

Një e katërta e ish-duhanpirësve deklaruan se ka të ngjarë që të rifillojnë ta pijnë, megjithëse katër për qind thonë stresi i pandemisë i kishte bërë ata të zmbrapseshin.

Hulumtimi i tyre erdhi pasi një studim zbuloi se duhanpirësit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të pacientëve të shtruar në spital nga COVID-19.

Një përmbledhje e 28 studimeve shkencore nga ana e akademikëve nga Universiteti i Kolegjit Universitar në Londër zbuloi se proporcioni i duhanpirësve midis pacientëve në spital ishte ‘më i ulët se sa pritej’.

Njëzet e dy nga studimet u kryen në Kinë, tre në SHBA, një në Korenë e Jugut, një në Francë dhe një ishte studim ndërkombëtar duke përdorur kryesisht të dhëna në Mbretërinë e Bashkuar.

Një nga studimet tregoi se në Mbretërinë e Bashkuar përqindja e duhanpirësve në mesin e pacientëve me COVID-19 ishte vetëm pesë për qind, një e treta e normës kombëtare prej 14.4 për qind.

Të dhëna nga studime të shumta kineze zbuluan gjithashtu se pacientët në spital me COVID-19 përmbajnë një pjesë më të vogël të duhanpirësve se popullsia e përgjithshme (6.5 për qind krahasuar me 26.6 për qind), duke sugjeruar që ata kishin më pak të ngjarë të përfundonin në spital.

Një studim tjetër, nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA thotë se mbi 7,000 persona që rezultuan pozitivë me coronavirus, vetëm 1.3 për qind e tyre ishin duhanpirës – kjo pasi 14 për qind e amerikanëve e pinë duhanin sipas CDC.

Studimi zbuloi gjithashtu se duhanpirësit nuk ishin edhe aq të rrezikuar sa që të përfundojnë në spital ose në kujdes intensiv, kjo gjë i ka habitur edhe shkencëtarët pasi të njëjtit nuk kanë ardhur ende me një përfundim.

Sidoqoftë provat tregojnë gjithashtu se duhanpirësit që kapin COVID-19 dhe janë shtruar në spital ka gjasa të shfaqin simptoma më të rënda, dhe iu kërkohet të hyjnë në ventilim.

COVID-19 dëmton mushkëritë, duke shkaktuar pneumoni dhe në rastet më të rënda, sindromën e shqetësimit të frymëmarrjes akute ose ARDS.

Dr.Panagis Galiatsatos, një ekspert për sëmundjen e mushkërive në Qendrën Mjekësore “Johns Hopkins Bayview”, thotë se mund t’i duhen dikujt tre muaj ose një vit të rimarrë funksionin e plotë të mushkërive pas një periudhe të rëndë me COVID-19.

Ndërkaq Nick Hopkinson, një specialist i frymëmarrjes në “Imperial College London”, tha se “pirja e duhanit dëmton sistemin imunitar dhe aftësinë tonë për të luftuar infeksionet”.