Larja e enëve është puna që gjithë gratë e kanë bezdi. Duket sikur e gjithë dita të kalon mbi lavaman, duke larë pirgje me enë. Sa më shumë shtohen enët për të larë, aq më shumë bëhemi dembele. Por ja disa truqe që mund t’ju ndihmojnë për ta bërë këtë punë më të thjeshtë dhe më të këndshme.

Pastrimi

Pasi mbaroni ushqimin, hiiqini menjëherë mbetjet nga enët. Ky është një veprim që do t’ju kursejë shumë kohë gjatë procesit të larjes. Në momentin që po mblidhni tavolinën, me një qese dhe një letër kuzhine mblidhni mbeturinat e tepërta nga pjatat.

Lërini të njomen

Nëse keni enë shumë të ndotura, do t’ju duhet që të hidhni disa pika detergjent enësh, në vaskën e lavamanit në mënyrë që të pastrohen më me lehtësi. Lërini kështu gjithë natën dhe në mëngjes do ta keni më të thjeshtë.

Lani me ujë të ngrohtë

Përdorni ujë të ngrohtë për të larë enët. Yndyra kërkon ujë shumë të nxehtë, që të largohet sa më shpejt. Kështu që përdorni ujë sa më të nxehtë të keni mundësi për gjatë gjithë procesit të larjes së enëve.

Lani me radhë

Kur filloni të lani enët, më të rëndësishme për t’u hequr qafe janë ato me shumë yndyrë. Ato mbushini me ujë dhe filloni me gotat, pastaj vijnë lugët dhe pirunjtë, pjatat dhe tasat, më pas enët me shumë yndyrë dhe tenxheret, apo tiganët.