Pesë vite nga zhvillimet e përgjakshme të 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë. Lagja e Trimave është kthyer në normalitet, ndërsa e vërteta për këtë rast akoma mbetet enigmë. Edhe pas pesë viteve, autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës nuk kanë gjetur forcat për hetimin ndërkombëtarë të premtuar nga dy Qeveritë dhe të kërkuar nga familjet dhe të dënuarit për këtë rast.

Nevojën për zbardhjen e të vërtetës pas pesë viteve e aktualizoji kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Nga Lagja e Trimave, Dimitrievski porositi Qeverinë dhe të gjithë ish ministrat e Brendshëm nga viti 2015 deri tani që ta zbardhin të vërtetën për këtë rast.

Akoma është hapur pyetja çfarë ndodh në Kumanovë. Kemi dëgjuar shumë përgjigje por nuk kemi dëgjuar të vërtetën për Lagjen e Trimave. Maqedonia i ka borxh Kumanovës, por akoma nuk kemi përgjigje. Janë ndërruar shumë ministra në MPB, shumë persona përgjegjës por asnjë prej tyre nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse ky rast ishte i motivuar politikisht apo çfarë fshihet pas asaj që sot e kësaj ditë nuk dihet – u shpreh Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Si pasojë e konfliktit të armatosur më 9-10 maj 2015 në Kumanovë, jetën e humbën 8 policë dhe 10 pjesëtarë nga formacioni i armatosur i thirrur në emër të UÇK-së. Dhjetëra shtëpi u dogjën dhe demoluan plotësisht, ndërsa qindra banorë u evakuuan. Nën akuzën për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”, Gjykata Penale e Shkupit dënoi 33 persona ndërsa 4 prej tyre i liroi nga akuza. 7 persona u dënuan me burg të përjetshëm, 13 persona me nga 40 vite burg, 9 persona me nga 12 vite, ndërsa të tjetër me nga 13, 14 dhe 18 vite. Nga të dënuarit 19 janë shtetas kosovarë, ndërsa të tjerët nga Maqedonia. Hetim me ndihmë ndërkombëtare për këtë rast ka premtuar ish kryeministri Zoran Zaaev, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i ASH-së, Ziadin Sela dhe ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Ndërsa në Kosovë, nevoja për një hetim të tillë ishte potencuar edhe nga kryeministrat Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj.