Stomaku i ngjason një qeseje muskulare që mund të mbajë gati në 4 kilogramë ushqime dhe lëngjes. . Kur është bosh, stomaku është i mbledhur dhe pas konsumit të ushqimit apo pirjes mund të zgjerohet. Muret e stomakut vishen me tre pllaka të fuqishme muskulare të cilat copëtojnë ushqimet në copëza më të vogla dhe i përziejnë me enzimat dhe acidin e prodhuar nga gjëndrat në brendësi të stomakut. Duhen 3-4 orë për zbrasjen e stomakut pas ngrënies ,por kjo ndikohet dhe nga lloji i ushqimit që një person konsumon. Ushqimet me përmbajtje të lartë yndyrore kërkojnë një kohë më të madhë për t’u tretur e kësisoj stomaku zbrazet për një kohë më të gjatë.
Pjesa më e madhe e tumoreve të stomakut e marrin zanafillën nga qelizat glandulare që shtrihen në stomak dhe këto tumore quhen adenokarcinoma. Ndonjëhere tumori mund të zhvillohet nga indi limfatik i stomakut – limfoma, ose nga muskuli- sarkoma. Rreth 3% e tumoreve të stomakut janë tumore karcinoide që e marrin origjinën nga qelizat hormon prodhuese të stomakut.
Tumoret karcinoide hapin më pak metastaza ndërsa tumoret e tjera përhapen nëpërmjet rritjes në stomak, ezofag, dhe në zorrën e hollë. Tumori mund të shtrihet edhe nëpër muret e stomakut, në nodujt limfatike duke u përhapur eventualisht në organet e tjera si mëlci, pankreas, zorrë shkruan dr.Albana Duni. Shenja e përbashkët dhe më e hershme e tumoreve malinje dhe beninje të stomakut është hemoragjia e brëndëshme mikroskopike , e cila zbulohet vetëm nga testi i feçeve. Në qoftë se hemoragjia vazhdon, me humbje të qelizave të kuqe të gjakut , kjo çon në anemi dhe në shfaqjen e lodhjes.
Kur kanceri është shumë i avancuar mund të shfaqen shenja dhe simptoma të tilla si :
1. Dhimbje në pjesën e sipërm dhe të mesëm të barkut, që nuk mund të përmirësohet nga ushqimet ose antiacidet. Por në stadet e hershme, dhimbja mund të qetësohet nga efekti i antiacideve dhe i ushqimeve.
2. Diskomfort abdominal që agravohet nga ngrënia.
3. Jashtëqitje me ngjyrë të zezë.
4. Të vjella me gjak.
5. Të vjella pas ushqimit.
6. Dobësi, këputje dhe humbje peshe.
7. Ndjenjë ngopje pas vakteve, megjithëse ngrënia mund të jetë më e pakët se normalisht.
Por të kesh një ose disa nga këto shenja nuk do të thotë se ke kancer stomaku. Ka edhe semundje të tjera, si ulçera peptike, që mund të shkaktojnë shenja të tilla.