Raportime mjaft shqetësuese vijnë nga India. Një mutacion i ri i dyfishtë i koronavirusit dhe 771 variante të ndryshme janë zbuluar në 18 zona qytete të këtij shteti.

Kjo vjen teksa përhapja e Covid-19 ka prekur nivele tepër të larta. Në 10 mijë teste janë raportuar mbi 700 raste me variantin britanik, 34 me atë të Afrikës së Jugut dhe një i infektuar me mutacionin Brazilian.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se rastet janë shqyrtuar me shumë kujdes. Mutacionet e viruseve janë të zakonshme dhe shpesh nuk ndikojnë aftësitë transmetuese apo të shkaktojnë infeksion serioz.

Por disa variante, si ai britanik dhe afrikan, mund ta bëjnë virusin më infektues dhe në disa raste edhe më tepër vdekjeprurës.

Virologu indian, Shahid Jameel, shpjegon se mutacioni i dyfishtë është kur dy variante të ndryshme bashkohen në të njëjtin virus.

“Një mutacion i dyfishtë në zonat kryesore të proteinës ‘spike’ të virusit mund të rrisë këto rreziqe dhe lejon virusin që t’i shpëtojë sistemit imunitar duke e bërë atë më tepër infektues.”, u shpreh Shahid Jameel, virolog në Indi.

Përballë shifrave në rritje, ekspertët shëndetësorë kërkuan rritjen e kapaciteteve gjurmuese të rasteve me koronavirus dhe veçanërisht zbulimin e mutacioneve të reja. Që prej fillimit të pandemisë, India raporton 11.7 milionë te prekur me Covid-19 dhe 160 mijë jetë të humbura. Zona të ndryshme kanë rikthyer kufizimet, përfshirë shtetrrethim gjatë natës dhe izolimin e pjesshëm për të frenuar përhapjen e virusit.