Mos-prania e familjeve  në shtëpi gjatë natës së Vitit të Ri mbetet sfidë për hajdutët. Janë vjedhur disa banesa në Shkup, ndërsa një familje ka mbetur pa shtatë ora dore dhe një pistoletë me plumba. Policia shton se mbrëmë ka pasur rrahje në Ohër dhe Veles,  ndërsa është sulmuar edhe një nëpunës policor. Për dallim nga vitet e kaluara, policia thotë se  ka rënie të trendit të veprave penale.

“Deri në orën 8 të mëngjesit kemi 9 denoncime dhe 8 shkelje. Kemi vjedhje të rënda dhe rrebelim. Kemi edhe sulm ndaj një nëpunësi policor, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Këto janë vepra penale. Ndërsa prishje të paqes dhe qetësisë publike kemi kur individë të caktuar e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike në  objekte hotelierike”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër për punë të brendshme.

Në ovërdozë me alkool mbrëmë janë evidentuar 17 meshkuj dhe 10 femra të cilët kanë mbaruar në klinikën e Toksikologjisë.

“Më i riu që ka ardhur në klinikën tonë ka qenë një djalë 16 vjeçar, ndërsa pacienti më i vjetër është 48 vjeçar. Kryesisht bëhet fjalë për grup të pacientëve mes 20 deri më 25 vjeç. Jemi posaçërisht të kënaqur dhe të lumtur se pas shumë viteve nuk patëm pacient të mbidozuar nga substanca psikoaktive”, tha D-r Niko Beqarovski, Klinika e toksikologjisë.

Me mjete piroteknike janë lënduar katër persona ndërsa dy persona janë lënduar me armë zjarri.

“Janë pranuar, kontrolluar dhe mjekuar katër persona me lëndime më të vogla të marra nga mjetet piroteknike. Ata janë mjekuar dhe janë lëshuar në shërim shtëpiak. Gjatë natës së mbrëmshme janë pranuar për kontroll edhe dy pacientë me lëndime nga armë zjarri megjithatë për fat të mirë  kishin lëndime të lehta trupore. Bëhet fjalë për lëndime në pjesën e qafës”, tha D-r Ivan Spirovski, klinika për sëmundje kirurgjike.

Në orën tre pas mesnate, një automobil ka goditur tre këmbësorë në Veles. Dy prej tyre me lëndime më të rënda janë dërguar në klinikat në Shkup. /TV 21/

https://www.youtube.com/watch?v=3knsY3aZCxs