Rikonstruimi i Qeverisë pritet të ndodhë me 3 maj, kur edhe pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të negociatave që po vijojnë mes partive politike, njofton SHENJA.
Rikonstruimi i Qeverisë ishte paralajmëruar kohë më parë nga vetë kryeministri Zaev, i cili dëshiron shumicë sa më të konsoliduar në Kuvend, në pritje të vendimeve të rëndësishme për vendin, siç është integrimi i vendit në NATO dhe hapërimi në integrimet për në BE.

Zaev që në fillim pati deklaruar se primare për të, është inkuadrimi i BESËS në Qeveri. Gatishmëri për këtë kanë shprehur edhe nga partia e udhëhequr nga Afrim Gashi, të cilët shprehen të gatshëm të ndihmojnë në vendimmarrjen për çështjet që janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Sipas burimeve të TV SHENJA-s, negociatat janë në përfundim e sipër dhe ata pritet të finalizohen në fillim të muajit maj.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se cilat dikastere do të mund t’i takonin partisë së Gashit, por palët janë shprehur se kjo është çështje dytësore.