Partia politike E majta ju bëri thirrje qytetarëve të Gostivarit ta bojkotojnë referendumin e ardhshëm me elaborimin se është mekanizmi i vetëm për kundërshtimin e pushtetit dhe përpjekjeve të tij për integrim të Maqedonisë në aleancën e NATO-s.

Këtë mes tjerash e porositën anëtarët e udhëheqësisë më të ngushtë të së Majtës Hakan Rexhep Ismail, Zoran Vasilevski dhe Xhejlan Veliu në tribunën me titull “Bojkoti si vetëmbrojtje” që u mbajt në sallën e vogël të Qendrës për kulturë “KAÇKM”.

Në fjalimet ata iu referuan Marrëveshjes së Prespës e cila sipas Vasileskit e dëmton principin dhe të drejtën e vetëvendosjes të popujve dhe bën revizionizmin historik. Ai nënvizoi se marrëveshja me Greqinë nuk ndikon në mënyrë kohezive dhe unifikuese por më shumë e thellon ndarjen etnike në Maqedoni.

Qëndrimi i së Majtës i cili ishte shfaqur në tribunën rreth karakterit konsultativ të referendumit është se me pyetjen e parashtruar në atë mënyrë nënvlerësohet dhe manipulohet vullneti i popullit dhe e dëmton demokracinë e vendit. Për atë arsye, siç ishte theksuar në fjalimet, bojkoti është i vetmi mekanizëm i saktë politik për të siguruar rezistencë të elitave qeverisëse dhe politikat e tyre destruktive.

Nga E majta porositën se veprimi i tyre dhe aktivitetet pas referendumit do të varen nga rezultatet, gjegjësisht nga rezultati i shprehur i qytetarëve.