Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRS) sot ka publikuar shpallje publike për ndërtimin e pjesës së parë të autostradës Shkup-Bllacë, e cila i referohet pjesës nga vendkalimi kufitar Bllacë deri në hyrje të fshatit Bllacë në gjatësi prej dy kilometrave, tha Bujar Osmani, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri Osmani kishte takim pune me drejtorin e NPRS-së, Zoran Kitanov, me të cilin biseduan për realizimin e projektit të autostradës Shkup-Bllacë, pas çka u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për media.

Osmani tha se është publikuar shpallje publike për pjesën e parë të autostradës së re Shkup-Bllacë, duke shtuar se ajo është një arterie e rëndësishme e komunikacionit e cila do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe se autostrada ka marrë vëmendje të veçantë pasi pala kosovare e mbaroi pjesën e saj nga Prishtina deri në kalimin kufitar Bllacë.

“Sot është një ditë e rëndësishme në realizimin e këtij projekti, respektivisht sot NPRS publikon shpallje publike për ndërtimin e pjesës së parë të autostradës nga Bllaca deri në hyrjen e fshatit Bllacë në gjatësi prej dy kilometrave sipas standardeve më të larta”, tha Osmani, duke shtuar se sipas skenarit më optimist, punimet mund të fillojnë këtë vit.

Drejtori i NPRS-së, Zoran Kitanov, dha më shumë detaje për autostradën Shkup-Bllacë, ku theksoi se thirrja publike për dy kilometrat e para nga autostrada do të jetë e hapur deri më 4 shtator të këtij viti.

“Autostrada e ardhshme do të ndërtohet sipas standardeve evropiane me dy korsi për ngasje dhe një korsi për ndalim të detyruar në një drejtim. Gjerësia e korsive për ngasje janë nga 3,5 metra, korsia për ndalim të detyruar 2,75 metra, respektivisht gjerësia e plotë e asfaltuar në një drejtim është 10,25 metra, rripi në mes është 4 metra, ndërsa shpejtësia e ngasjes do të jetë 100 kilometra në orë”, theksoi Kitanov, duke shtuar se afati i ndërtimit është 18 muaj, ndërsa mjetet do të sigurohen nga NPRS.

Autostrada Shkup-Bllacë do të jetë e gjatë 12,4 kilometra. Pas mbarimit të kësaj autostrade pritet që udhëtimi Shkup-Prishtinë të shkurtohet nga 2 orë në 45 minuta.