Protesta e paralajmëruar nga prindërit në Kamjan të Bogovinës kundër transformimit të Shkollës së vjetër në çerdhe është anuluar për t’i dhënë mundësi palëve që të gjejnë zgjidhje. Komuna e Bogovinës nuk heq dorë nga projekti, me arsyetimin se është në të mirë të banorëve.

Normal se është e dëmshme të mos arrihet kjo, sepse kalon një vit pastaj deri në gjetjen e zgjidhjes tjetër dhe si projekt vonohet dhe nuk i dihet në të ardhmen se çka bëhet, andaj ju apeloj protestuesve që të gjejnë arsyen argumentet dhe ta kuptojnë se kjo është në dobi të të gjithëve – u shpreh Minur Asani, përgjegjës për arsim në komunën e Bogovinës.

Prindërit nga ana tjetër insistojnë që drejtuesit e Komunës të heqin dorë nga ky projekt, në të kundërtën do të rikthehen në protesta.

Nuk jemi kundër projektit të çerdhes, është mirë të kemi çerdhe por jo edhe të prishet ky proces që zhvillohet nëpër kabinete. Nuk heqim dorë nga protestat po do vazhdojmë nëse do ketë nevojë – tha Arsim Sinani, kryetar i këshillit të prindërve.

Ministri i arsimit Arbër Ademi tha se objekti vjetër është i dedikuar për Shkollë dhe nuk mund të transformohet për qëllim tjetër.

Ai objekt shkollor është gati 70 vjeçar, dhe nëse destinomi i hapësirës është V-1 që është i dedikuar për arsim pra ajo nuk mund të transformohet nga shkollë të adoptohet për ndonjë qëllim tjetër – u shpreh Arbër Ademi, ministër i arsimit.

Në bazë të projektit të fituar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vlerë prej 120 mijë euro, Komuna e Bogovinës vendosi për transformim të njërit objekt të shkollës fillore “Sabedin Bajrami” në Kamjan në çerdhe, ndërsa nxënësit me vendim komunal të transferohen në objektin qendror. Prindërit thonë se me transferimin e nxënësve në objektin qendror humben një pjesë e kabineteve. /Alsat M/