Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është nominuar për çmimin Nobel për Paqe 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin amerikan, nominimi i Trumpit është paraqitur nga anëtari i Parlamentit norvegjez, Christian Tybring-Gjedde.

Bëhet e ditur se Trump është nominuar për çmimin Nobel për Paqe 2021 për kontributin e tij për marrëveshjen e arritur mes Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit.

Në letrën nominuese që Tybring-Gjedde i ka paraqitur Komitetit të Nobelit thuhet se administrata e Trumpit luajti një rol kyç në ndërtimin e marrëdhënieve mes EBA-së dhe Izraelit dhe se me marrëveshjen shpresohet që vendet e tjera të Lindjes së Mesme të ndjekin gjurmët e EBA-së dhe se ajo mund të jetë ndryshues i lojës që mund ta shndërrojë Lindjen e Mesme në një rajon bashkëpunimi dhe mirëqenieje.

Trump më 13 gusht njoftoi se Izraeli me EBA-në arritën marrëveshje për “normalizimin e plotë të marrëdhënieve”.

Delegacionet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-ve për herë të parë më 31 gusht me një udhëtim komercial nga Tel Avivi mbërritën në Abu Dabi dhe zhvilluan bisedime 2 ditore për marrëveshjen e normalizimit.

EBA-ja është shteti i tretë arab që ka arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në 1994.