Pa asnjë fakt dhe argument kryetari i Levicës, Dimitar Apasiev ka luajtur me numrin e personave që kanë refuzuar që të marrin pjesë në regjistrim, është përfundimi i emisionit më të ri “Këmbët e shkurtra”, në të cilën zbulohen dezinformacionet dhe lajmet e rrejshme, ndërsa episodi i fundit iu kushtua dezinformatave për zjarrin në Tetovë, për regjistrimin dhe për zgjedhjet.

Apasiev, në profilin e tij në Fejsbuk, ka shkruar se mbi 200.000 qytetar kanë refuzuar që të regjistrohen, ndërsa dënime nuk janë dhënë që ky numër të mos bëhet i njohur, që në vetvete sipas ekipit “Këmbët e shkurtra” nuk përmban asnjë argument dhe shërben vetëm në drejtim të kampanjës së partisë për bojkotimin e regjistrimit. Nga ana tjetër, imponohet çështja nëse bojkotuesit e regjistrimit nga Levica i bojkotuan regjistruesit nga partia e tyre, pasi që dukshëm një pjesë prej tyre gjenden në listat për kandidat për këshilltar.

Në mënyrë plotësuese, në “Këmbët e shkurtra” fokusi është vendosur në informacionet e pavërteta për numrin e viktimave nga zjarri në spitalin modular në Tetovë, ku një pjesë e medieve publikuan lajmin se mbi 30 persona kanë vdekur pa e vërtetuar informacionin. Njëherit, një pjesë e lajmeve të rrejshme u publikuan edhe nga Infomaks ku thuhet se Lidhja Demokratike e Vllahëve nga Struga e ka lënë koalicionin me LSDM-në që përsëri është demantuar nga ana e kryetarit të partisë, Nikollce Babovski.