Shqipëria do të ketë “sy” edhe nga hapësira! Kështu pretendon kryeministri Edi Rama. (Shiko këtu) Sot nga Kuvendi i Shqipërisë, deklarata e tij shkaktoi të qeshura në sallë, por kreu i qeverisë ngulmoi se e kishte seriozisht. Teksa komentonte ndryshimin e buxhetit për të blerë drone, Rama e çoi edhe më tej fantazinë duke bërë me dije se brenda vitit të ardhshëm qeveria do të dërgojë në hapësirë 2 satelitë. Madje aq shumë mirë e ka bërë planin, saqë u ka vendosur edhe emrat: Albania dhe Albania 2. Kjo deklaratë u pasua me të qeshura në radhët e opozitës, por kreu i qeverisë i mëshoi fjalës së tij duke i siguruar se do të ndodhte, e se Shqipëria do të bëhej vendi i parë në rajon me satelitë në hapësirë.

Nga 3,372 satelitë artificialë aktivë që rrotullohen rreth Tokës që nga 1 janari 2021, 1,897 i përkasin Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtij numri nuk i afrohet as ai i satelitëve të Kinës dhe Rusisë. 10 vendet kryesore që po dominojnë industrinë satelitore janë SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe, Japonia, India, Agjencia Evropiane e Hapësirës, Kanadaja, Gjermania dhe Luksemburgu.

NUMRI I SATELITËVE:

SHBA 1897
Rusia 176
Kina 412
Të tjerë (VENDE) 887

Satelitët e vëzhgimit të Tokës përdoren për qëllime civile dhe ushtarake, duke luajtur një rol vendimtar për aktivitete të tilla si monitorimi i motit në tokë. Satelitët gjithashtu përbëjnë një pjesë integrale të infrastrukturës së navigimit dhe komunikimit në botë. Eksplorimi i hapësirës gjithashtu mbështetet në teleskopët hapësinorë, stacionet hapësinore dhe anijet kozmike të përfshira në këtë kategori. Por nuk dihet se për cilin nga këto qëllime do t’i përdorë Shqipëria.

Numri i satelitëve dhe qëllimi
1832 satelitë Komunikimi
906 satelitë Vëzhgimi i Tokës
350 satelitë Zhvillimi dhe demonstrimi i teknologjisë
150 satelitë Navigimi dhe pozicionimi
104 satelitë Shkenca dhe vëzhgimi i hapësirës
20 satelitë Shkenca e tokës
10 satelitë Qëllime të tjera

Presim cili do të jetë objektivi i mandatit të katërt, ndoshta dërgimi i shqiptarit të parë në hënë. Në mos nuk ka dalë ndonjë nga ata që kanë shkuar deri më tani, se dikush duhet ta ketë pasur ‘gjakun shqiptar’. Por ka ende kohë deri në mandatin e katërt.