Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se në partinë e tij nuk ekziston i ashtuquajturi “krahu ideologjik” i cili do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese. Sipas Mickoskit, kjo është një ëndërr e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani i cili bën mirë të zgjohet nga gjumi. Lideri i opozitës sot përsëriti qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për dalje nga kriza.

“Nuk e di për një gjë të tillë. Nëse Osmani është duke pa ëndrra, mirë bën të zgjohet. Unë nuk kam informacion të tillë dhe kam besim në të gjithë 44 deputetët e grupit parlamentar. Unë para një viti kam thënë, nëse një kalon unë largohem nga politika, ata thonë të kundërtën, nëse dështojmë, do të vazhdojmë të jemi në Qeveri”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski thotë se popullit i ka përfunduar durimi me të ashtuquajturën e ardhme Evropiane dhe se qytetarët duan vepra konkrete, shërbime shëndetësore, arsimore dhe sociale.

“Më thoni diçka konkrete, ndryshe nuk ka. Këto tregimet e ardhmja Evropiane apo të tilla më nuk kalojnë. Mbi tre dekada u bënë, ndryshuam emrin, flamurin, na bënë shtet binacional, tre herë ndryshuam kushtetutën dhe gjithmonë ja edhe kjo duhet. E pra jo më, nuk mundet. Ose do të bëhet si duhet ose nuk ka zgjidhje tjetër”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Duke folur për takimin e një grupi të deputetëve të VMRO DPMNE-së me përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në Shkup, Mickoski tha se takimet e tilla janë të zakonshme dhe nuk ka asnjë për të cilën opinioni apo tabori tjetër duhet të dyshon ose aludon. /Alsat.mk