Asociacioni Bankar i Maqedonisë informon se për momentin një pjesë e shërbimeve lidhur me brendet e kartelave VISA dhe MasterCard janë të paqasshme në bankomat ose tregti, transmeton Portalb.mk.

“Sikur edhe deri tani, mjetet e klientëve të bankave janë të qasshme në të gjitha ekspoziturat dhe filialet”, thonë nga Asociacioni Bankar i Maqedonisë.

Prej atje shtojnë se anëtaret e ABM-së janë në komunikim të vazhdueshëm me VISA dhe MasterCard dhe nga analizat e deritanishme mund të thuhet se arsyeja për problemin nuk është e lidhur me operatorët telekom-operatorët, as me sistemet individuale bankare.

“Pas marrjes së njohurive të plota, opinioni do të informohet në kohë nga ana e Asociacionit Bankar të Maqedonisë”, thuhet në njoftim.

Disa prej bankave në vend kanë njoftuar për problemet teknike dhe theksojnë se po punohet në zgjidhjen. Ndërkaq, i udhëzojnë qytetarët që nëse kanë nevojë për tërheqje të parave të drejtohen në filiale.

Portalb.mk vizitoi një filial ku bankomati nuk punonte dhe qytetarët prisnin në radhë të filialit të bankës për të tërhequr para.