Ka përfunduar me sukses procesi i modernizimit të rrjetit të energjisë elektrike në komunën e Haraçinës. Pas këtij investimi, qytetarët marrin shërbime cilësore, ndërsa humbjet të cilat më herët ishin mbi 80 përqind, tani ato janë më pak se 10 përqind. Nga EVN thonë se me këtë investim numri I defekteve është minimizuar, ka furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor me energji elektrike .
Përfaqësuesit e EVN-së thonë se realizimi nuk ishte edhe aq i lehtë, se grupe të izoluara shkaktuan pengesa, por falë bashkëpunimit me komunën, MPB-në dhe prokurorinë, projekti përfundoi me sukses.
“Bëhet fjalë për individë të caktuar që kanë penguar punën e ekipeve të elektrodistribuimit, shumica e banorëve kanë qenë që të ndërpriten vjedhjet, me vetë ndërprerjen e vjedhjeve ka pas përmirësim në rrjetin e shpërndarjes dhe kemi mund atë pjesë ta furnizojmë pa problem”, tha Ardit Sadiku, Udhëheqës i QEK Vasill Gllavinov.
Kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, nënvizoi se me përfundimin me sukses të këtij projekti është dëshmuar se Haraçina nuk është ashtu siç përshkruhet.
“Qytetari evropian është i diciplinuar, qytetari evropian është i përkushtuar për jetën dhe gjithësesi në këtë drejtim mendoj se bashkarisht me ekipin tim dhe para se gjithash në bashkëpunim të drejtëpërdrejtë me qytetarët, kemi arritur rezultate të mira, gjithëpërfshirëse”, u shpreh Ridvan Ibraimi, Kryetar I Komunës së Haraçinës.
Projekti në fjalë zgjati 9 muaj ku janë zhvendosur 850 kabinete matëse, 2800 matës dhe më shumë se 50 kilometra të kabllos së re mbitokësore të tensionit të ulët. Nga EVN njoftojnë se me projekte të tilla do të vazhdojë edhe në vendbanime, fshatra dhe zona të tjera urbane. /Alsat.mk