Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari përmes një postimi në “Facebook” bën thirrje për maturi, harmoni dhe bashkëpunim të përgjithshëm për shkak se, siç thotë kreu i ASH-së, edhe pse kemi bindje të tjera politike, ne të gjithë bashkohemi nga dëshira për ta bërë këtë vend sa më të mirë

“Kur do të fitojmë, nuk do të vijnë as orë hakmarrjesh, as spastrime masive, por madje do të ketë projekte që do të kërkojnë përmirësimin edhe më shumë të atyre që tani janë pjesë e administratës apo të punësuar në çdo sektor”, shprehet kryetari i ASH-së.

“Le të jemi ne, pa dallim partie, feje, gjuhe apo kombi, klasa e atyre politikanëve që do ta shohin veten si oponentë ideologjik por si partnerë në qëllimet tona më të larta, si është zhiviillimi i vendit dhe ecja jonë në hartën e BE-së si pjesë organike e saj”, shkroi Taravari.

Ai më tutje shprehet i sigurt se kjo është një sfidë por bashkarisht do t’ia mund të dalin dhe këto muaj duhet të shndërrohen në festë mendishmesh, vizionesh dhe mundësish.

“Në fund fitoftë më i miri. Jam i bindur se kemi mbështetjen e vlefshme edhe nga faktori ndërkombëtar, që janë miqtë tanë strategjik, që me mençurinë e tyre dhe dashamirësi janë pranë nesh në këtë moment të veçantë”, shprehet në fund Taravari.