Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se 1 maji është thirrje për solidaritet dhe organizim sindikal, dhe se përgjatë 12 muajve qeveria që ai drejton ka dëshmuar kujdes të shtuar në gjendjen e puntorëve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në një postim të bërë në Facebook, Kurti shkruan se qeveria e tij, ka trefishuar numrin e inspktimeve, derisa thekson se është dyfishuar edhe buxheti për Inspektoriatin.

Sipas Kurtit, Qeveria e tij, ka marrë një numër të madhë masash të punësimit dhe masa për rritje të pagave.
Postimi i plotë:

1 Maji – thirrje për solidaritet dhe organizim sindikal

Gjatë 12 muajve të fundit kemi dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në shoqërinë tonë. Inspektorati Qendror i Punës për të mbikëqyrur të drejtat e punëtorëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2020, ka trefishuar numrin e inspektimeve, duke realizuar 8,114 inspektime. Kemi dyfishuar buxhetin për Inspektoriatin i cili përgjatë viteve 2022 dhe 2023 përmes procedurave të rekrutimit ka dyfishuar numrin e inspektorëve të punës. Sivjet numri i inspektorëve arrin në 150 duke përmbushur kësisoj premtimin tonë për pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës.
Filluam mandatin me masa që nxisin deklarimin e punëtorëve sikurse masa 1.2 e Pakos së Ringjalles Ekonomike. Sepse një punëtor i padeklaruar e pa kontratë, nuk mund të kërkojë as realizimin e të drejtave që i takojnë. E punën për deklarimin e punëtorëve e intensifikuam me nisjen e inspektimeve të përbashkëta të Inspektoratit të Punës dhe Administratës Tatimore të Kosovës ku vetëm dy muajt e parë janë deklaruar mbi 10 mijë punëtorë. Në proces është edhe rregullimi i deklarimit të punëtorëve sezonalë dhe në sektorin e amvisërisë, problem ky disa vjeçar, duke u siguruar kështu që të kemi pagesë të kontributeve pensionale dhe trajtim të dinjitetshëm në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Kemi ndërmarrë një sërë masash të punësimit të cilat rezultuan në shtim të punësimit për 70 mijë vende pune në tri vitet e para të qeverisjes. E krahas masave për punësim, morëm edhe masa për rritjen e pagave. Në sektorin privat subvencionuam rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë, kurse në sektorin publik vitin e kaluar ngritëm pagat për 17% mesatarisht e sivjet edhe për 5% tjera. Për rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat miratuam edhe projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, dhe zbatimi do të fillojë sapo ligji i votuar në Kuvend të Republikës të zhbllokohet nga Gjykata Kushtetuese.

Agjendën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe punësimit do ta pasurojmë me ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Punësimit përmes së cilave do të sigurojmë më shumë të drejta e më shumë mundësi për punësim dinjitoz.

Sot është dita kur duhet të tregojmë aktualisht por edhe të përkujtojmë punëtorët historikisht.

Në antikitet dhe mesjetë nganjëherë caktoheshin ditët e lira për punëtorët dhe zejtarët. Gjatë Revolucionit Francez një ditë pune e muajit shtator u caktua si ditë feste. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shumë gjenerata 4 Korriku u festua edhe si Dita e Punës. Kjo praktikë filloi në vitin 1790 kur disa sindikata u bashkuan zyrtarisht me Shoqëritë Jeffersoniane Republikane-Demokratike që luftonin tendencat aristokrate të kohës. Të punësuarit besonin që vetëm duke u bashkuar përmes solidaritetit ashtu siç kishin bërë 13 kolonitë ata do të fitonin fuqinë kolektive për t’i tejkaluar sfidat drejt një të ardhme më të mirë. Në vitet 1820-1830, festimi i 4 Korrikut si ditë e punëtorëve u bë traditë – përmes saj synohej kompletimi i ngjarjes së Ditës së Pavarësisë më 1776, bashkim pra edhe në vendin e punës, dhe kundër tendencave të vjetra të punëdhënësve që trajtonin punëtorin si shpenzim që duhet kontrolluar. Festimi i 4 Korrikut si ditë e punëtorëve në këtë dritë zgjati deri më 1880 kur doli ngjarja e 1 Majit dhe Dita e Punëtorit.

Është me rëndësi të kujtohet që punëtorët asokohe nuk gëzonin trajtimin njerëzor që e kanë sot. Punohej nga 10 deri në 16 orë në ditë, për shtatë ditë gjatë javës. Vendi i punës ishte i rrezikshëm e nuk ofrohej kurrfarë mbrojtje. Pagesa për punën e bërë ishte shumë e ulët. Ndryshimet që erdhën më vonë nuk erdhën si pasojë e gjenerozitetit të punëdhënësve ndaj punëtorëve. Ndryshimet erdhën përmes organizimit të punëtorëve të cilët punuan shumë dhe kaluan përplot sfida për t’u bashkuar e për të fituar aleatë në betejën e tyre për më shumë të drejta. Në këtë sekuencë kujtojmë rezistencën e punëtorëve në Çikago të cilët me 1 Maj 1886 hynë në grevë të përgjithshme me kërkesën për orarin 8 orësh të punës, kërkesë kjo që shihej si diçka absurde asokohe por që tashmë ishte bërë pjesë e një lëvizje botërore të punëtorëve. Greva kulmoi me ngjarjen në sheshin “Haymarket” në Çikago ku u vranë punëtorë e policë dhe u plagosën mbi 200 persona. Nga kjo ngjarje 1 Maji festohet botërisht si dita e punëtorëve.

1 Maji na mëson se vetëm të bashkuar në shoqëri dhe në vendin e punës mund t’i sigurojmë të drejtat tona e të punojmë për një të ardhme prosperuese për të gjithë. Ky mësim është i vlefshëm sidomos sot marrë parasysh makro agresionin në botë me pandemi, luftë, autoritarizma në ngritje dhe kriza ekonomike. Megjithëkëto, mikro agresioni i çështjeve të tjera që në përditshmëri prekin jetën dhe punën e punëtorit ka tendencë të shtyhet e të lihet anash dhe kjo nuk bënë të ndodhë. E shohim edhe në vendin tonë, nga njëra anë i jepet hapësirë dhe provohet të projektohet një interesim për çështje që lidhen me gjeopolitikë dhe fqiun autokratik, kurse në anën tjetër lufta e punëtorëve në sektorin privat kundër punëdhënësve oligark nuk paraqitet, shtypet e ndrydhet dhe mbahet qëllimisht e heshtur. Punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre. Ne duhet të jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi!