Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka zbardhur plotësisht rastin e denoncuar në Departamentin për Krime Kompjuterike me datë 24.06.2024 nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, i cili ka raportuar kërcënime për jetën dhe sigurinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të drejtuar nga Samka Ibraimoski përmes një rrjeti social, transmeton Portalb.mk.
Menjëherë pas kallëzimit, MPB ka marrë masat përkatëse dhe është zhvilluar një bisedë zyrtare me Samka Ibraimoskin në SPB Tetovë.
“Sot (26.06.2024), Departamenti për Krime Kompjuterike ka bërë kallëzim penal kundër S.I. (69) për veprën e kryer “rrezikimi i sigurisë” neni 144 paragrafi 5 i paraparë dhe i dënueshëm sipas Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
I raportuari S.I. ka dërguar kërcënime dhe thirrje të rënda për dhunë ndaj një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese në profilin e tij në Facebook.
Kryetari i Partisë për emancipimin e plotë të romëve (PEPR) dhe ish-deputeti, Samka Ibraimovski, ka kërcënuar gjyqtarët kushtetues pasi sipas tij, kanë lejuar përmbaruesit të vazhdojnë mbledhjen e borxheve, ndërsa kërcënimet i ka bërë përmes profilit të tij në Facebook.
Kërcënimet i ka raportuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Në postimet e tij në Facebook, më së shumti përmendet gjyqtarja Ana Pavlovska Daneva, për të cilën vetë Ibraimovski mohon që shkrimet e tij kundër gjyqtares Daneva janë kërcënim për jetën dhe konsideron se si ithtar i ligjit për përmbarim ka të drejtë të kritikojë gjykatën.
“Nëse kam përmendur dikë, nuk e kam përmendur me kërcënim për jetën, nëse shkrimi im i prek, ky është problemi i tyre. Unë kam të drejtë demokratike të shkruaj si hartues i ligjit, jam kryetar i një partie të varfër që ka ngecur me përmbaruesit dhe kërkojmë shpëtim dhe rrugë për të çliruar ata njerëz që paguajnë borxhe 3 deri në 4 herë”, tha Ibraimoski.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, ka qenë e para që ka alarmuar për kërcënimet ndaj gjyqtarëve, të cilët në fund të mandatit kanë informuar se thuajse çdo ditë ka pësuar kërcënime, por vetëm pak kohë më parë ka vendosur të lajmërojë policinë.
Krahas kërcënimeve, Kacarska ka qenë edhe viktimë e një sulmi fizik, e cila paraprakisht ka raportuar në polici se i është kërcënuar siguria, pasi në garazhin e saj kishte gjetur një shtrat të improvizuar dhe thikë kuzhine.