Nga prof: Mislim Zendeli
Vetëm pak muaj më parë, Arben Taravari, në një konferencë për shtyp me tone solemne, promovonte një “prurje të madhe” në radhët e Aleancës për Shqiptarët, një figurë me reputacion akademik dhe qytetar nga Tetova. Me fjalë të mëdha, e paraqiti si përforcim të pastërtisë politike të kësaj partie, si sinjal të ndershmërisë së saj në raport me opinionin publik.
“Kësaj force politike nga sot i është bashkangjitur një personalitet tejet i çmuar dhe i respektuar nga Tetova. Bëhet fjalë për profesorin Mislim Zendeli, doktor i shkencave të ekonomisë,” pati deklaruar Taravari, me bindjen e plotë se bashkë me profesorin po i jepte Aleancës një vulë të re besueshmërie.
Por koha është gjykatësi më i mirë. Dhe ajo çfarë ndodhi më pas , bashkimi i Taravarit me Ziadin Selën nën ombrellën e Frontit Europian dhe në prehrin politik të Ali Ahmetit, ka sjellë jo vetëm tronditje në opinion, por edhe refuzim të hapur nga zëra brenda vetë Aleancës, përfshirë edhe vetë profesor Zendelin.
Reagimi i fortë i profesor Mislim Zendelit: “Rezillëku nuk paskësh kufi”
Në një reagim publik që ka bërë bujë në rrjetet sociale, profesor Zendeli ka shprehur hapur zhgënjimin dhe indinjatën ndaj rrugës që ka marrë Aleanca për Shqiptarët dhe lidershipi i saj, duke e quajtur “bashkim për pushtet” dhe jo për parime.
“Rezillëku nuk paskësh kufi! U ndanë copë copë, u shanë me nënë, babë e fis, u rrahën, u përgjakën, u paditën dhe akoma enden nëpër gjyqe, për vula!” , shkruan Zendeli, duke iu referuar historisë konfliktuale ndërmjet Selës dhe Taravarit.
Ai nuk kursen ironinë as për atë që e quan apatia kolektive e qytetarëve, të cilët sipas tij, janë bërë shikues pasivë të një cirku politik që përsëritet sa herë afrohen zgjedhjet.
“Popullit sikur ia ka qejfi të jetë shikues pasiv i këtij cirku… ‘Lufta’ po bëhet në Lindjen e Afërt, jo te ne, tybistigva, mirë jemi, shyqyr Zotit!”
Dhe si në një refren të njohur, Zendeli përmbyll me një konstatim therës që godet thelbin e krizës së besimit te politika:
“Pas zgjedhjeve do ‘zgjohet’ nga gjumi dhe do fillojë nga e para sipas refrenit: sharje, ‘revoltë’ dhe ikje nga sytë këmbët!”
Një metaforë politike që flet më shumë se çdo sondazh
Ky reagim nuk është vetëm një deklaratë e zhgënjimit personal është simptomë e një krize të thellë besimi që po përhapet edhe te njerëzit që dikur panë shpresë në riformatimin e politikës shqiptare. Dhe kur kritika vjen nga brenda, nga ata që u promovuan si prurje të pastra, ajo bëhet alarm serioz për të gjithë ata që duan të legjitimojnë koalicione me të kaluarë të përgjakur politike për hir të pushtetit.