Vazhdimi i bisedave për formimin e Qeverisë dhe situata e paqartë për mandatarin e ardhshëm ka nxitur edhe ish-ndërmjetësuesin Piter Vanhaute, që të vazhdojë me leksionet e tij ndaj politikanëve në Maqedoni, në lidhje me demokracinë dhe funksionimin e shtetit normal.

Në rrjetet sociale Vanhaute dje ka shkruar se Parlamenti është institucioni kyç në demokraci. Ai ka kritikuar  udhëheqjen e seancës konstituive nga ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski. Ish-ndërmjetësuesi Vanhaute potencoi se Parlamenti dhe deputetët e ri, të cilës do partie që janë duhet të jenë kontrollues i Qeverisë dhe të mos lejojnë të ndodhë e kundërta. Ai madje potencoi rëndësinë e fillimit sa më të shpejtë të punës së Kuvendit.

“E rëndësishme është që parlamenti të fillojë me punë sa më shpejtë që është e  mundur. Në rastin e Maqedonisë, ka një numër të madh të detyrave para: zgjerimi i mandatit të Prokurorirsë Speciale, vlerësimi i zgjedhjeve, zhvillimi i një plani gjithëpërfshirës të veprimit për të luftuar ndotjen e ajrit në Shkup dhe në qytete tjera, hetimi i ri në skandalin e përgjimit, një rishikim i plotë i lirisë së mediave,…”, ka shkruar Vanhaute.