Ky dimër i pazakontë për rrethanat tona, me temperatura që shkojnë edhe ndër -20 gradë celsius, sigurisht që vështirëson jetesën e përditshme të të gjithëve, por janë banorët e Hasanbegut të shkatërruar nga vërshimet e para pesë muajve, për të cilët i ftohti polar është edhe më i vështirë për t’u përballuar. Banorët thonë se shumë prej anëtarëve të familjeve të tyre, jetojnë nëpër vendbanime tjera tek të afërmit e tyre, pasi që në shtëpitë e tyre, nuk kanë kushte për të përballuar dimrin. Ndihmat që u janë ofruar atyre, kanë qenë simbolike dhe të pamjaftueshme për të kaluar dimrin.
“Me na shërbyer, para dy jave Kryqi i Kuq na ka sjellë sheqer dhe vaj, për tjetër, askush asgjë nuk na ka sjellë. Bile nuk kanë ardhur të na pyesin se si i kemi punët. A duhen dru, miell, askush nuk është interesuar për asgjë. Familja ime janë në Shkup, te Zhelezara. Unë jam me vëllanë dhe djalin e vëllait këtu banojmë. E kemi bërë në dhomë dhe jetojmë vetë, për shkak se ende nuk jemi gati, na zu bora, çka të bëjmë”, ka deklaruar një banor I Hasanbegut.
Banorët thonë se edhe për pastrimin e rrugëve nga dëborë, janë angazhuar dhe organizuar vetë, ngjashëm si në ditët e para pas vërshimeve.
“Këto rrugët e tonë, ne vetë i kemi pastruar dhe kemi hedhur kripë. E rruga kryesore, u konvenon edhe atyre se duhet të shkojnë edhe në Stajkovcë. Për këtë anë, nuk është interesuar askush të vijë e të pyet se çka duhet e çka s’duhet. A janë njerëzit në rrugë, a duhet të pastrohen rrugët, a ka njerëz të sëmurë, askush nuk është interesuar”, deklaroi një banor tjetër.
Gjatë vërshimeve që në gusht kapluan Hasanbegun dhe fshatrat përreth, humbën jetën 22 persona dhe mbeti e zhdukur Elifi gjashtëmbëdhjetëmuajshe. Dëme pësuan rreth 5 mijë amvisëri, përfshirë këtu edhe shumë familje që mbetën pa kulm mbi kokë, e të cilat janë lënë pothuajse të vetëm karshi dëborës dhe temperaturave polare.