Kushtet nëpër burgjet e Maqedonisë vazhdojnë të jenë alarmante, pasi mungojnë kushtet më minimale për të burgosurit.

“Telegraf” ka mundur të sigurojë disa foto nga ambientet e burgut, që janë vërtetë të rënda dhe sidomos në ditët e ftohta të dimrit, pasi nuk kanë pasur as me çfarë të ngrohen.

“Ne si të burgosur shqiptarë nuk kemi as kushte për mjekim. Ilaçet dhe ushqimet na sjellin familjarët. Kemi kushte mizore, nënpunësit janë të korruptuar dhe kërkojnë ushqime nga ne. Tani në temperatura të ulëta nuk ka as ngrohje.

Nevojtoret nuk janë riparuar dhe frikësohem se mos infektohem nga papastërtia e madhe. Nuk e di çfarë të them, nuk bëhet më keq”, ka thënë një nga të burgosurit në këtë burg, i cili kërkoi të mbetet anonim, dhe kjo për shkak të problemeve që mund të hasë nëse publikohet emri i tij.

Por, përveç kushteve shumë të këqija në burgun e Idrizovës, shqiptarët tregojnë se ata keqtrajtohen.

Në këtë burg ka edhe të dënuar nga Shqipëria të cilët ankohen se përveç kushteve të tmerrshme, ndaj shqiptarëve aplikohen dënime maksimale, shpesh edhe të ekzagjëruara për një vepër penale që nëse do të kryhej nga një shtetas maqedonas, nuk do të dënohej fare.

Shqiptarët e burgosur në Maqedoni i bëjnë apel shtetit shqiptar që të marrë masat e nevojshme për qytetarët e saj dhe të ofrojë asistencë ligjore për ata që bien në kurthet dashakeqase të maqedonasve./Telegrafi