Nuk guxon të ndodhë që Gjykata Supreme ta shfuqizojë paraburgimin kur i dyshuar është në arrati, edhe atë me kërkesë të prokurorit publik, i cili nuk ka kompetencë për një gjë të tillë, thotë profesoresha universitare Besa Arifi. Sipas saj, Gjykata Supreme është dashur ta hedh poshtë kërkesën e prokurorit publik Marko Zvrllevskit që Sead Koçanit t’i hiqet paraburgimi. Ajo shton se problemi tjetër sa i përket vendimit të gjykatës është fakti se ajo është thirrur në nen të gabuar të Ligjit për procedurë penale.

“Mund të parashtrohet ankesë për paraburgimin, por paraburgimi duhet të ekzekutohet. Qëllimi i paraburgimit është që i dyshuari të sigurohet në procedurë penale. Tani, nëse personin që duhet të jetë në paraburgim e lëshoni në liri derisa mbahet procedura ankimore, atëherë asnjë paraburgim nuk mund të realizohet. Të gjithë do të iknin sikur ta dinin se do të shkonin në paraburgim”, tha Arifi.

Më herët, kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski deklaroi se paraburgimi kundër Koçanit është shqiptuar pa prova të mjaftueshme nga ana e Prokurorisë Publike Speciale se i dyshuari ka kryer ndonjë vepër penale.

“Gjatë kërkesës për shqiptimin e masës së paraburgimit, një nga parakushtet është të dorëzohet provë për bazat e dyshimit se është kryer vepër penale. Në këtë rast, Prokuroria Speciale nuk ka dorëzuar prova të tilla, ndërsa gjyqi ka bërë shkelje të ligjit kur – pa dorëzimin e provave – ka shqiptuar masë për paraburgim”, thotë Vangellovski.

“Në raste të këtilla, është e rëndësishme të mbahet përgjegjësi për keqpërdorimin e qëllimshëm të pozitës zyrtare për personat që citojnë dispozita që nuk vlejnë për këto raste, në vend se ata të citojnë dispozitat e duhura të Ligjit për procedurë penale”, tha Besa Arifi.

Prokuroria Publike Speciale sot përsëri kërkoi nga gjykata kompetente në Shkup që Sead Koçanit t’i shqiptohet paraburgim. Ai dyshohet se bashkë me dy të tjerë, me dokumente të falsifikuara ka fituar tender në vlerë rreth 17 milionë eurove.

https://youtu.be/dFj1ZMobz8c