Më shumë se dy javë pas vërshimit të lumit në fshatin Poroj, punimet në drejtim të pastrimit të shtratit të lumit, të cilat i kryen drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë ende, kjo ka bërë që tani në muajt e verës kur kemi të bëjmë edhe me rritjen e temperaturave të ngrihet shumë pluhur në ajër gjatë bartjes së materialit të vërshimeve nga shtrati i lumit, kjo gjë ka revoltuar banorët e fshatit Xhepçisht për shkak se makineria e rëndë e drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim që bart materialin e vërshimeve nga shtrati i lumit të Porojit kalon nëpër fshatin Xhepçisht dhe krijon një pluhur shumë të madh në komunikacion që përfshin një pjesë shumë të madhe të fshatit Xhepçisht, shkruan gazeta KOHA.

Në ndërkohë, banorët janë ankuar se pas vërshimeve është krijuar një situatë mjaft e vështirë, sepse gjithnjë është duke i ngritur pluhur i madh gjatë qarkullimit të automjeteve. “Pas asaj katastrofe natyrore që ndodhi, tash ndodh një katastrofë tjetër është duke ndodhur, duke u munduar që të eliminojnë pasojat. Shqetësimi ynë është se nga ata që transportojnë materialet ndërtimore, sepse krijohet një pluhur i madh në fshatin Xhepçisht, gjegjësisht për në rrugën Xhepçisht-Trebosh dhe Xhepçisht-Jazhincë. Ne kemi frikë se mund të përhapen edhe sëmundje, por edhe bizneset janë të dëmtuara shumë në këtë periudhë. Po ashtu ne kemi edhe dyshime se punët janë duke u kryer me intensitet të vogël, sepse janë duke stërzgjatur shumë”, tha Rexhep Bilalli, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Xhepçisht. Ai më tej apelon deri te Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim që po kryen punimet në shtratin e lumit të fshatit Poroj, që të mos ngarkojnë shumë material në kamionët e tyre, për shkak se gjatë transportit – një pjesë bie gjatë rrugës dhe pas përfundimit të punimeve të pastrojnë mirë rrugën me qëllim që të mos shtresohet balta në rrugë dhe në vazhdimësi të krijoj pluhur. Ndërkaq, nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, theksuan se ata pastrojnë aq sa mundin rrugën ku kalojnë me dhjetëra herë kamionët që transportojnë mbetjet nga vërshimet në Lumin e Porojit. “Ne jemi me makinerinë tonë, por edhe nga Njësia e Zjarrfikësve pastrojnë me ujë, spërkatin, por kemi parasysh se aty kalojnë shumë makineri dhe është e pamundshme të bëjnë pastrim 24 orësh në atë vend. Përderisa vazhdojnë punët, pluhur do të ketë gjithnjë deri në atë kohë kur do të pastrohen tërësisht mbetjet”, tha për KOHA, Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes publike komunale Publike, Tetova -Tetovë. Nga ana tjetër, në fshatin Poroj ende vazhdojnë punët për sanimin e kësaj situate të krijuar para dy jave. Kurse po ashtu ende nuk ka filluar ndërtimi i njërës nga dy urat në fshatin Poroj. Përderisa, njëra urë u shkatërruar totalisht, tjetra që ndodhet në pjesën e lartë të fshatit duhet të rikonstruohet, sepse edhe ajo ka pësuar dëmtime. Deri më tash është ndërtuar një urë për këmbësor, pasi që një pjesë bukur e madhe banorëve të fshatit për të udhëtuar deri në qendër të fshatit, do të duhet të bëjnë shumë rrugë, për shkak të dëmtimit të tërësishëm të urës. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se ndërtimi i urave është pjesë e planit më të madh aksional. “Ka qenë një urë që është ndërtuar më e thjeshtë, sepse çdo herë kur ka pasur vërshime e njëjta është dëmtuar. Kjo na ka bërë që ne duhet të mendojmë për një projekt me impakt më afatgjatë. Kjo është arsyeja se pse ne jemi duke bërë projekt që ajo pjesë të jetë në planin aksional për vërshimet për sa i përket të gjitha rrjedhave të lumenjve, për ta trajtuar me qëllim që të ketë sa më pak dëme. Ne kemi bërë një kalim vetëm për këmbësorët, specialistët e armatës kanë qëndruar aty dhe kanë bërë vlerësimet e tyre, presim që të zvogëlohet intensiteti i ujit që të mund të punojnë për ta rikthyer atë urë në gjendjen e mëparshme”, tha Arifi. Sipas njoftimeve të deritanishme nga Qendra për menaxhim me kriza për të pastruar tërësisht mbetjet, duhet një muaj.© Gazeta KOHA