Rritja e rasteve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka shtuar debatet se a do të ketë një izolim të ri, sikur ai i pranverës.

Komisioni për Sëmundje Infektive ka alarmuar se mund të vijoj rritja e numrit të infektimeve, duke shkuar deri në 1000 në ditë, por kjo nëse nuk do të respektohen masat dhe protokollet e miratuara nga Qeveria për ballafaqim me koronavirusin. përcjell INA.

Kreu i këtij komisioni, Zharko Karaxhovski i pyetur se a mund të rikthehet ora policore, nënvizoi se për momentin pavarësisht rritjes së infektimeve nuk mendohet për orë policore.

Sipas tij, disa ngjarje që kanë ndodhur kohëve të fundit si, ahengje, koncerte dhe të tjera kanë rritur numrin e infektimeve, por ai apelon që të shmangen këto.

“E vetmja formë për të shmangur këtë situatë është ajo që ne në kontinuitet kemi kërkuar: të mbahet distancë, maskë dhe dezinfektim, por kjo në masë të madhe nuk është zbatuar. Orë policore kemi vetëm në Francë, në asnjë shtet tjetër evropian, ne për momentin nuk po mendojmë për një gjë të tillë. Ju lutem në rast se nuk i ndihmojmë vetvetes, atëherë nuk mund të na ndihmoj askush, as 500 mjekë e motra medicinale. Kërkojmë nga ju që të respektoni masat, sepse mosrespektimi ka me e rrit numrin e pacienteve me këtë do të rëndohet edhe kapaciteti i spitaleve dhe ekipeve mjekësore. Mund të propozojmë edhe 10 masat të tjera, por presim edhe këto 2-3 ditë, në rast se gjendja nuk përmirësohet, atëherë do të shohim edhe për masa të tjera. Për momentin nuk mendojmë për orë policore”, theksoi Karaxhovski.

Edhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të orës policore, por ai ka paralajmëruar se do të ketë masa të reja të kufizimeve, nëse vijon trendi i rritjes së rasteve. (INA)