Rusia është njëra prej shteteve favorite për të qenë nikoqir i miniturneut të këtij viti në Ligën e Kampionëve.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, rusët kanë deklaruar kandidaturën e tyre për të zhvilluar këtë format, shkruan “Zeri.info”.

Kjo do të ndodhë vetëm nëse UEFA vendos ta përfundojë edicionin e Ligës së Kampionëve në këtë mënyrë.

UEFA po mendon ta përfundojë Ligën e Kampionëve në një shtet, duke filluar nga faza çerekfinale.

Në këtë rast, shteti nikoqir duhet të sigurojë katër stadiume, të vendosura brenda një rrezeje prej 100 kilometrash.

Aktualisht ka aplikuar edhe Gjermania, që mund të sigurojë katër stadiume, në Frankfurt, Mainz, Hoffenheim dhe Darmstadt.

Gjithashtu, edhe Portugalia po mendon të aplikojë për të qenë nikoqire e këtij formati në Ligën e Kampionëve. /Zeri.info