Tashmë disa ditë me radhë është paralajmëruar për të enjten e kësaj jave vazhdimi me punë i kuvendit të Maqedonisë për të përmbyllur seancën konstituive.

Në lidhje me këtë, javën e kaluar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se pret që me partitë që kanë ofruar nënshkrimet, të hyjnë në kuvend dhe të vazhdojnë me punë. Ai beson se do të ketë marrëveshje me partnerët e ardhshëm në qeverinë e re, që sipas Rregullores së Kuvendit, të zgjedhet kryetari i ri i kuvendit.

Zaev kërkoi përsëri mandatin nga ana e kryetarit Ivanov, ndërkaq ky i fundit u shpreh dje se ende nuk janë hequr pengesat për ta dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Nga ana tjetër, OBRM-PDUKM-ja vazhdon me qëndrimet e saj se zgjidhja më e mirë do të ishte që të mbahen zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale.