Eksponentë të lartë të partisë shqiptare në pushtet BDI, po bëjnë presion të jashtëzakonshëm tek organet e gjyqësisë, por edhe tek partneri i tyre qeverisës LSDM, që ish shefi i shërbimit sekret, Sasho Mijallkov të gjykohet në liri. Këtë për portalin informativ FOL e konfirmojnë burime të afërta pranë LSDM-së, të cilat gjithashtu pohojnë se ikja e Gruevskit jashtë shtetit i ka komplikuar raportet ndërmjet partnerëve.

Sipas burimeve të njëjta lajmi i personit që më së shumti ka dëmtuar shtetin dhe shoqërinë, që aq lehtë të largohet dhe të marrë azil në një vend evropian, ka prishur edhe balancin brenda për brenda LSDM-së, pasi shumë aktivistë dhe funksionerë partiak kërkojnë llogari dhe nuk mund të pajtohen me ikjen e Gruevskit. Shumë prej tyre kërkojnë përgjegjësi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Arrestimi i Mijallkovit nga ana tjetër vetëm se ka tërhequr vëmendjen prej arratisjes së Gruevskit, por ka shqetësuar jashtë mase partnerët e tyre, BDI-në e Ali Ahmetit.

Përpjekjet janë të shumta, por nga LSDM pritet që ti shkojnë betejës deri në fund, të paktën me Mijallkovin sepse shpresat se Gruevski do të ekstradohet po shuhen dita ditës./Fol/