Pas 300 vitesh duhet të vini në Shqipëri, për ta parë nga afër vendin tuaj të origjinës, i cili është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar turistik”.

Ky ishte mesazhi që përcolli Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko gjatë vizitës së tij në fshatin Karakurt, në rajonin e Odesës ku jeton më shumë se gjysma e shqiptarëve të Ukrainës.

“Gjaku nuk bëhet ujë”, tha më tej Ministri i Shtetit, në këtë vizitë zyrtare ku u prit nga autoritetet rajonale e gjithashtu përfaqësuesit e diasporës shqiptare.

Majko premtoi se do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për diasporën në Ukrainë.

Implementimi i projekteve të përbashkëta në arsim dhe kulturë ishte në qendër të një tryeze të rrumbullakët të mbajtur me autoritetet rajonale dhe përfaqësues të diasporës.

Ministri Majko, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Shqipërisë Shpresa Kureta, në Ukrainë, vizitoi shkollën ku mësohet gjuha shqipe e gjithashtu Shtëpinë e Kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të diasporës. Me këtë rast nxënësve shqiptarë u është dhuruar nga një Abetare mbarëkombëtare, e cila arriti edhe në Ukrainë, por në Maqedoni ende nuk po lejohet.